Me makina dhe autobusë të mbushur plot, e mësynë Turqinë.
Qytetarë bullgarë po shfrytëzojnë rënien e lirës për të kryer blerjet e tyre personale, teksa kriza ekonomike në vend, për shkak të inflacionit, është thelluar.
Blerjet e fundvitit në Turqi i kryen edhe shumë nga grekët fqinj.
Megjithatë, kjo situatë është bërë e papërballueshme për vendasit, të cilët humbën pasuri teksa politikat e Erdoganit për luftim të inflacionit, përmes zvogëlimit të normave të interesit, u kritikuan nga ekonomistë e gazetarë.
Ndaj 20 prej tyre, të cilët këtë situatë e kanë komentuar në rrjetet sociale, është ngritur kallëzim penal nga rregullatori bankar i shtetit.
Madje ministri turk i Ekonomisë, Nureddin Nebati, u ka bërë thirrje edhe qytetarëve të padisin ekonomistët e gazetarët që keqinformojnë në rrjetet sociale për rënien e lirës.
Monedha turke ka humbur gati gjysmën e vlerës së saj prej fillimit të nëntorit e deri kur presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka bërë të ditur masat e reja për mbështetje të lirës.