Shkruan: Gëzim SULEJMANI
Pas disa veprave të botuara viteve të fundit, gazetari shumëvjeçar Ismail Arsllani nga Tetova, këtyre ditëve vjen me romanin e tij të tretë të titulluar “Tuneli i Gentianës”, me të cilin formon një triptik letrar, pas romaneve të botuara më parë, si “Misionari i kasabasë” dhe “Gurë mbi Kala”, të vendosura në kuadrin e romaneve historike, që pasqyrojnë drama jetësore nga Tetova e shekullit të 19-të, vendlindja e autorit, por në të cilat përfshihen edhe dimensione më të gjera gjeografike dhe historike.
Kjo periudhë e jetës në qytet, të cilën autori e trajton, rrallë përdoret si motiv në vepra letrare. Rrëfimi vendoset në mënyrë magjike në dy shina, të cilat të çojnë në të njëjtën qasje, në tunelin e errët, psikologjik dhe fizik, mbi të cilin ndërthuren shumë situata dramatike, duke lënë pa frymë lexuesin. Por strumbullari i ngjarjeve sillet rreth hakmarrjes, si një kategori njerëzore e gjendjes mendore të asaj kohe, mes dy familjeve prestigjioze të qytetit, të cilat krijojnë tensione më të gjera në jetën e përditshme të njerëzve dhe ndërtojnë tërësinë e romanit. Ngjarjet pasqyrohen në tunel, si metaforë, me elemente figurative dashurie dhe urrejtjeje, nga njëra anë, si dhe ndriçimi i palëve kundërshtare mes agallarëve të pasur dhe bejlerëve, dhe, nga ana tjetër, udhëtimet e fshatarit të varfër.
Autori Ismail Arsllani, sipas redaktorit të librit, prof. dr. Zeqir Kadriut, me një mjeshtri prej stilisti ndërlidh ngjarjen, për të formësuar një sekret hyjnor, që, më pas, përhapet në mes njerëzve si një magji e pakapshme. Si e tillë, ngjarja mbahet nën një sekret të madh, për faktin se projekti për ndërmarrjen ndërtimore të Kalasë mund të rritej në një pakënaqësi të pa parashikueshme në sytë e miletit varfanjak.
Krahasuar me krijimet e mëparshme, nënvizon redaktori Kadriu, dukshëm dallohet për nga profesionalizmi, shtjellimi i ngjarjeve përmes trajtimit të personazheve, madje edhe me stilin, gjuhën dhe kronologjinë e mbarështimit prozaik. Kjo dëshmon se autori i veprës është njohës i thellë i kulturës dhe mbarështon me mjeshtri virtytet e popullit të vet dhe ndodhitë që lidhen me atë periudhë, që paraqet dobësimin e Perandorisë Osmane dhe largimin nga trojet ballkanike.
Romani “Tuneli i Gentianës” i autorit Arsllani ka një rrjedhshmëri interesante të shprehjes gjuhësore, që e mban lexuesin në tension të vazhdueshëm deri në fund të ngjarjeve komplekse të jetës, duke ngjallur kështu kureshtjen për të zbuluar rrëfimin. Vepra, sipas kritikut letrar dhe recensent i romanit, Remzi Salihu, përmban një magji të ndërlikuar konflikti, ku dashuria kapërcen hakmarrjen e vendosur mes protagonistëve kryesorë, Gentianës dhe Kapllanit, dhe familjeve të tyre. Struktura e romanit përfshin personazhe reale dhe të trilluara të asaj kohe, të cilët shpalosin kulturën dhe zakonet e këtyre trojeve. Sipas perceptimit dhe vëzhgimit tonë kreativ, ky roman ngërthen në strukturën e vet më shumë fiksion se sa realitet historik.
Këtu kemi të bëjmë me një palimpsest të tekstit letrar, ku përshkruhet një hapësirë apo ngjarje, nëpër të cilat shihen gjurmë të së kaluarës. Themi kështu se me kuptimin metaforik të ngjeshjes kreative, jepen ndërthurje të periudhës së kaluar, ku shihen dhe barten gjurmët e kulturës, traditës së një populli nëpër shekuj, thekson kritiku Salihu. Kjo karakteristikë, shton ai, arrihet me gjuhën e derdhur nëpër dykuptimësi artistike të shtruara, të ngjarjes së dhënë në strukturë të romanit, kryesisht duke bartur në to elemente dhe forma jetësore të një populli, e që janë karakteristike dhe të dallueshme përmes gjurmëve të shoqërisë deri në kohën e sotme.
Këto gjëra të veçanta i referohen mënyrës së qasjes se si shtresat e ndryshme të historisë, kulturës dhe përvojave njerëzore janë të mbivendosura realisht në hapësirë dhe kujtesë njerëzore. Ato rrethana të evidentuara ngjishen shumë mirë në roman. Shpesh na duket se rrëfimi i ri i autorit, ndërtohet mbi rrënojat e ngjarjeve historike të ndodhura më parë. Koha dhe datat historike bëhen fondamenti bazë i kujtesës imagjinative të autorit, nëpër të cilën kanë rrjedhur ngjarjet.
Autori në roman kujdesshëm i kujton rrugët, kalldrëmet, minaret, varoshin, kalanë, hamamin, urën e gurit dhe shumë toponime të tjera të kasabasë. Po ashtu, në ngjarje futen edhe vende të tjera ku kanë frekuentuar personazhet. Bile përshkruhet në mënyrë të detajuar edhe Universiteti i Arteve në Stamboll, madje galeritë e shumta të Parisit, që kanë ekzistuar shekuj më parë, por që kanë rezistuar dhe i kanë mbetur gjallë grirjes së përhershme të dhëmbëve të kohës. Në disa raste, këto përshkrime autori i bën aq bukur dhe në formë poetike, saqë detajet e dhëna nguliten shumë lehtë në kujtesë.