Trump sërish kritikon NATO-n: Ishin të padobishëm kur ishte e nevojshme

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar me një seri postimesh në Truth Social lidhur me zhvillimet e fundit në Ngushticën e Hormuzit.

Presidenti amerikan ka nisur përsëri kritika të ashpra ndaj NATO-s.

“Tani që situata në Ngushticën e Hormuzit ka përfunduar, mora një telefonatë nga NATO duke pyetur nëse kishim nevojë për ndihmë. U thashë të qëndronin larg, përveçse nëse duan thjesht të ngarkojnë anijet e tyre me naftë. Ata ishin të padobishëm kur ishte e nevojshme, një tigër prej letre!”, ka shkruar Trump.

Në postimet e tjera ai shprehu falënderime për Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin, duke i vlerësuar për “guximin e madh dhe ndihmën” e dhënë në menaxhimin e situatës.

Trump u ndal edhe te çështja e sigurisë detare, duke deklaruar se Irani, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, ka hequr ose është në proces të heqjes së të gjitha minave detare në zonë.

Ndërkohë, Trumpi ka shkruar se hapja e ngushticës s’ka të bëjë fare me armëpushimin në Liban.

“Sërish! Kjo marrëveshje nuk lidhet në asnjë mënyrë me Libanin, por ne do ta bëjmë Libanin të mrekullueshëm sërish!” ka shkruar ai.