Tronditëse në Shkup: burrë e grua gjenden të vdekur në apartament – vajza i raportoi të zhdukur vetëm disa orë më parë

Një ngjarje tragjike ka tronditur lagjen Cërniçe të Shkupit, ku një çift shtetasish nga Taivani është gjetur pa shenja jete në një apartament, në ndërtesën e njohur edhe si vendbanimi i dikurshëm i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Bëhet fjalë për një grua 50-vjeçare (Ç.T.J.) dhe bashkëshortin e saj 37-vjeçar (Sh.L.F.), trupat e të cilëve janë gjetur rreth orës 13:50.

Ngjarja bëhet edhe më e rëndë për faktin se vajza e gruas, N.M., kishte denoncuar zhdukjen e tyre në polici vetëm disa orë më herët, në orën 00:49 të 2 shtatorit.

Prania e madhe e policisë dhe automjeteve funerale alarmoi banorët e zonës, të cilët nuk kishin dijeni se çfarë kishte ndodhur brenda apartamentit.

Nga këqyrja fillestare e mjekut të Institutit të Mjekësisë Ligjore nuk janë konstatuar shenja të dukshme dhune në trupat e viktimave.

Trupat janë dërguar për autopsi, e cila pritet të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes.

Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat misterioze të kësaj ngjarjeje tragjike në Shkup.