Lupço Nikollovski dhe Trajan Dimkovski në funksionin e ministrit të Bujqësisë, tokën e njëjtë bujqësore ua kanë dhënë nën koncesion dy personave të ndryshëm, akuzoi sot zëvendësministri plotësues i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski.
“Kjo është Fikom 2, vetëm në variantin bujqësor, ku kësaj radhe në rolin kryesor janë persona funksionarë të LSDM-së. Më 26.12.2018 Lupço Nikollovski si ish-ministër i Bujqësisë ka lidhur marrëveshje për dhënie me qira të tokës shtetërore bujqësore në Breznicë të Re, Kisella Vodë me personin G.Gj në kohëzgjatje prej 70 vjetëve, ndërkaq më 17.07.2019 Trajan Dimkovski në rolin e ministrit të Bujqësisë ka lidhur marrëveshje për qira për tokën e njëjtë bujqësore e cila tashmë gjendej nën qira, kësaj radhe me personin V.T”, tha Tripunovski.
Sipas tij, marrëveshja e dytë për tokën është lidhur pa u shkëputur ajo paraprake.
Ai pyeti pse Dimkovski nuk ka dërguar shkresë në njësinë rajonale të MBPEU në Kisella Vodë dhe a e ka ditur se toka është nën qira dhe me vetëdije ka kryer vepër penale. Nëse nuk e ka ditur, vlerëson Tripunovski, këshilltarët e tij kanë qenë të obliguar ta informojnë dhe ai në asnjë rast nuk është dashur ta jep tokën sërish me qira .