Tri qendra të reja luksoze për skijim! A do të mund të përballemi me këtë sfidë në kohë krize energjetike?

Në Jabllanicë afër Strugës dhe Vevçanit, në Bushevë afër Krushevës dhe në Karaxhicë, është paraparë të ndërtohen 3 qendra të reja luksoze për skijim të cilat do të kushtojnë rreth 700 deri 800 milionë euro. Qëllimi i investimit është stimulimi i ekonomisë vendore në tregun e brendshëm e ndërkombëtar. Për nevojat e këtyre ski-qendrave, do të ndërtohen edhe 3 fshatra të rinj turistikë me 16 hotele luksoze me 4 dhe 5 yje, restorante dhe rreth 130 shtëpiza malore me kapacitet mbi 5.000 shtretër, një teleferik, ski-lift, mbi 180 km shtigje për skijim, shtigje biçikletash, si dhe rezervuarë për prodhim të dëborës. Deri te maja e malit do të arrihet duke përdorur teleferik edhe atë për 8 deri në 15 minuta.

“Zhvillimi urban sipas të cilit duhet të ndërtohen, është i ngjashëm për të gjitha lokacionet. Bëhet fjalë për vendpushime të cilat do të funksiononin gjatë gjithë vitit, si në dimër, ashtu edhe në verë, që do të thotë se do të ketë një sërë aktivitetesh që mund të bëhen”, tha Daniele Konstantini – ekspert nga Italia.

Ekspozimi dominues në lindje, liqenet në lartësi të madhe mbidetare, mbulesa e borës mes 1.200 dhe 2.000 metrave mbi nivelin e detit gjatë pothuajse 140 ditëve brenda vitit, qasja e lehtë deri te lokacionet dhe afërsia e aeroporteve. Këto janë disa nga përparësitë të cilat vështirë mund t’i gjeni në një vend. Pikërisht për këtë arsye, konsultuesi shumëvjeçar në Lojërat Olimpike në Ski dhe autor i këtij projekti, i ka zgjedhur këto vende. Në pyetjen se si do të mund vendi të përballet me këtë sfidë në kohë të krizës energjetike, Konstantini me përgjigje:

“Gjithashtu të mos harrojmë edhe filozofinë ekologjike, e cila është pjesë e projektit dhe e cila është e pranishme në të gjitha këto projekte. E ndjekim parimin e shfrytëzimit të pemëve lokale, uljes së përdorimit të energjisë elektrike dhe riciklimit të mbeturinave natyrore”, shtoi eksperti italian, Daniele Konstantini.

Me qëllim që ky projekt të realizohet sa më shpejt që është e mundur, ideja do të prezantohet në muajt në vijim në Panairin Ndërkombëtar në Dubai Ekspo 2021, kurse tashmë ka interes nga disa investitorë potencialë./TV21