Treshja sulmuese që Barcelona mund të transferojë këtë verë me kosto të ulët

Barcelona synon transferimin e tre sulmuesve me kosto të ulët në afatin kalimtar të verës dhe tashmë i ka të qartë emrat e tyre.

Barça ka Leo Messin si objektiv kryesor për të përforcuar sulmin për sezonin e ardhshëm, por në planin e fizibilitetit të paraqitur në La Liga parashikohen disa shitje, siç konfirmoi vetë presidenti Javier Tebas, këtë të enjte.

Kjo është arsyeja pse në rast se një ose më shumë lojtarë sulmues si Raphinha , Ferran Torres apo Ansu Fati përfundojnë duke u larguar, Barça ka nënvizuar emrat e futbollistëve që duhet të arrijë me kosto të ulët.

Sipas gazetës Mundo Deportivo, ai që do të kthehet me siguri është Abde Ezzalzouli, i huazuar te Osasuna këtë sezon dhe me paraqitje që ka përmbushur pritshmëritë që kishte klubi.

Dy të tjerët që Barça ka në sy dhe synon t’i transferojë me kosto të ulët janë Yannick Ferreira-Carrasco nga Atletico Madridi dhe Pierre-Emerick Aubameyang nga Chelsea.

Për belgun, i cili do të mbushë 30 vjeç më 4 shtator, një opsion blerjeje për 15 milionë u mbyll në janar për katalanasit kur Memphis Depay përfundoi duke iu bashkuar madrilenëve dhe me shifra të njëjta mund të kryhet operacioni edhe këtë verë.

Aubameyang në anën tjetër do të vinte si lojtar i lirë pasi Chelsea nuk ka më pretendime për ta mbajtur, ndërsa do të lehtësohej nga mos pagesa e pagës së tij të lartë vjetore.