Trajneri i PSG-së fajëson Martinezin për talljet ndaj Mbappes në Kupën e Botës

Christophe Galtier hodhi poshtë pretendimet për një grindje mes Lionel Messit dhe Kylian Mbappes, duke thënë se nuk ka probleme mes dyshes së Paris Saint-Germain.
Mbappe ishte subjekt i talljeve në festimet e Kupës së Botës në Argjentinë, kryesisht nga portieri argjentinas Emiliano Martinez, transmeton lajmi.net.

Portieri argjentinas e përqeshte sulmuesin francez nga dhoma e zhveshjes pas finales. Dy ditë më vonë, ai u tall me Mbappen gjatë paradës së trofeut të Kupës së Botës në Argjentinë, ndërsa bashkëlojtari i Mbappes në PSG, Messi qëndronte pranë tij.

Galtier e fajësoi Martinezin, ndërsa tha se yjet e tij te PSG nuk kanë probleme mes vete.

“Do të fokusohesha në miqësinë mes tyre. Nuk ishte Leo Messi ai i cili tallej me dikë. Ajo që pashë pas finales, ajo që kam përjetuar, është se nuk ka asnjë arsye për t’i përzier këto gjëra sepse sjellja e portierit varet nga ai”, tha Galtier.

“Ajo çfarë më intereson mua është lidhja mes lojtarëve. Kylian Mbappe kishte një sjellje tejet të mirë, pavarësisht humbjes. Sigurisht, ai ishte i dëshpëruar, por ai e bëri atë gjë në një mënyrë klasi. Ai e uroi Leo Messin dhe kjo është një gjë shumë e mirë për klubin dhe skuadrën”, shtoi më tej trajneri i PSG-së.

Kujtojmë që është vetë ylli francez që tha se e ka përgëzuar Messin për trofeun e fituar, teksa ka refuzuar të komentojë rreth Martinez duke thënë që nuk humb kohë me gjëra të tilla.