Trajneri i Lazios: E dinim se do ta mposhtnim Interin

Trajneri i Lazios, Simone Inzaghi, ka këmbëngulur se lojtarët e tij kishin besuar se do ta mposhtnin Interin në derbin e javës në Serie A dhe se skuadra e tij nuk ndien kurrfarë presioni tani që gjendet në pozitën e dytë vetëm një pikë prapa liderit, Juventus.

Lazio e mposhti Interin 2:1 me rikthim, falë golave nga Ciro Immobile dhe Sergej Milinkovic-Savic në pjesën e dytë, pasi zikaltrit kishin kaluar të parët në epërsi përmes Ashley Young, transmeton Gazeta Express.

Kjo nënkupton se Lazio është tani skuadër e pamposhtur në 19 ndeshjet e fundit në ligë, pasi humbjen e fundit ia kishte shkaktuar pikërisht Interi në shtator.

“Ne luajtëm shumë mirë kundër një skuadre shumë të fortë, e cila e kishte humbur vetëm një ndeshje në 24 xhiro deri tani këtë sezon. Ne jemi duke e ruajtur një tempo të jashtëzakonshme”, tha Inzaghi.

“Ne bëmë një paraqitje madhështore sonte dhe ishim shumë të bindur se do të fitonim saqë ia lejuam Interit disa kundërsulme të shmangshme në pjesën e parë”, shtoi ai. /Gazeta Express/