Toshkovski kërkon falje: Policët ende pa uniforma të reja, hapet procedurë e re tenderimi

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski u kërkon falje policëve që nuk u janë siguruar uniformat e reja të premtuara. Pas anulimit të tenderimit të mëparshëm, Toshkovski shpreson që tenderi i ri të jetë i suksesshëm, duke u bërë thirrje të interesuarve të  paraqiten që të zgjidhet sa më shpejtë kompania e re. Toshkovski nënvizoi se prioritet do të jetë cilësia.

“Po është publikuar procedurë e re , procedura e mëparshme është anuluar….Kemi siguruar mjete në kuadër të ministrisë, publikisht i kërkoj falje policëve edhe pse nuk shoh faj personal në kuadër të udhëheqjes apo të atyre që i kanë udhëhequr tenderin në ministri, por në fund si thonë në futboll në fund shihet rezultati se kush ka humbur kush ka fituar, a nuk shihet se a është luajtur mirë. Kështu që është fakt se nuk kemi uniforma të reja, a i kemi premtuar uniformat e reja shpresoj që ky tender të jetë i suksesshëm…” – Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Drejtori i byrosë për siguri publike deklaroi se policia e vendit, qëndron krah për krah me shërbimet policore evropiane dhe botërore, pas çka pasuan reagime në opinion, pikërisht lidhur me mungesën e uniformave.

“Policia e Maqedonisë, sot qëndron krah për krah me policinë bashkëkohore evropiane dhe botërore. Përmes bashkëpunimit të fortë ndërkombëtare dhe partneriteteve, dhe operacioneve dhe aktiviteteve, kontribuojmë për stabilitetin e rajonit dhe më gjerë.” – Aleksandar Janev, Drejtor i Byrosë për Siguri Publike.

Nga MPB pa detaje nëse përskaj tenderit të ri për uniformat do të ketë dhe tender paralel për emblema të cilat ishin paralajmëruar se do të jenë në dy gjuhë. Në Shkup dhe në komunat ku jetojnë së paku 20% shqiptarë, përpos në alfabetin cirilik, mbishkrimi i uniformave duhet të jetë edhe në shqip për policinë e trafikut, policinë kufitare dhe policinë intervenuese.

Tenderi për uniforma policore u anulua pas ankesës nga kompania MIKEI Internacional e cila gjithashtu kishte aplikuar në tender por MPB marrëveshjen e kishte lidhur me një kompani tjetër, respektivisht me “Mega Sport”. Marrëveshja ishte në vlerë prej 10,5 milion euro. /Alsat.mk