Tiranë heroike në Tbilisi, mposht Dinamon dhe gjen Crvena Zvezdën në turin e dytë!

Kualifikim historik i Tiranës që kalon me sukses pengesën e parë në Champions League dhe tashmë përgatitet për ndeshjen e madhe ndaj serbëve të Crvena Zvezdës. Në Tbilisi në kryeqytetin e Gjeorgjisë, bardheblutë e Emanuel Egbo triumfuan me shifrat 0-2 ndaj Dinamos vendase në sfidën e vlefshme për turin e parë paraeliminator të UEFA Champions League, duke siguruar kualifikimin në ruandin tjetër dhe sidomos një përballje lukse me Yllin e Kuq të Beogradit. Ishte një Tirane shumë kompakte ajo që zbriti në fushë në Tbilisi. Largimet e Dokës dhe Ngoo nuk u ndjenë fare ndërkohë që me bardheblutë debutuan dy futbollistët e ardhur nga Maqedonia e Veriut, Najdovski dhe Toshevski të cilët u aktivizuan si titullarë në mbrojtje, ndërkohë peshën e sulmit e mbante talenti Ernest Muçi. Sfida nisi jo shumë mirë për Tiranën pasi një pakujdesi e Ilion Likës për pak sa nuk i dha mundësinë për të kaluar në avantazh skuadrës gjeorgjane.

Në minutat e fundit të pjesës së parë Batha me shiritin e kapitenit në krah dha një sinjal se goli ishte afër me një goditje standarte ndërkohë që atëherë kur askush se priste, bardheblutë kaluan në avantazh me Torassën në sekondat e fundit të shtesës së pjesës së parë me argjentinas që kishte fat dhe përfitoi nga një dalje jo e mirë e portierit vendas. Në pjesën e dytë, Tirana u përpoq mësëshumti të ruante avantazhin, madje në një rast u ndihmua dhe nga gjyqtarët që anuluan një gol të Dinamo Tbilisit për pozicion jashtë loje. Për të vulosur suksesin dhe kualifikimin e bardhebluve mendoi talenti Marsel Ismailgeci që shfrytëzoi një top të pritur jo mirë nga portieri i Dinamos pas goditjes së Muçit duke i çuar shifrat në 0-2. Falë këtij suksesi, Tirana javën e ardhshme do të sfidojë Crvena Zvezdën në turin e dytë paraeliminator të Championsit aty ku edhe nëse eliminohet do të ketë të sigurtë pjesëmarrjen në turin e tretë kualifikues të Europa Leagues. Për t’u përmendur edhe fakti që Tirana e eliminon për herë të dytë nga Championsi, Dinamon e Tbilisit pasi e ka bërë diçka të tillë edhe në sezonin 2003-2004.