“Tigrat”, Rashidi: Skandalet e Grubit dhe BDI-së s’kanë fund (Video)

Deputeti i koalicionit ASH-AAA, Syrja Rashidi, e ka quajtur skandal të radhës pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Artan Grubi në ceremoninë për 40 vjetorin e themelimit të njësisë policore “Tigrat”, shkruan gazeta LAJM. Rashidi, tha se pas këtij skandali, ish pjestarët e UÇK-së duhet të shqyrtojnë pozicionin e tyre karshi BDI-së, parti kjo që thirret në emër të luftës së vitit 2001.

“Skandalet e këtij personi por edhe partisë që i përket s’kanë fund. Kjo është për ta shqyrtuar edhe njëherë gjithë ata pjesëmarrës të konfliktit të vitit 2001 pozicionin e vet karshi këtij subjekti politik që thirret në emër të luftës”, tha Rashidi.

Deputeti i opozitës shqiptare kritikoi BDI-në edhe për mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në njësitin policor “Tigrat”.

“BDI-ja nuk ka arritur që të bëjë përfaqësimin e shqiptarëve në njësitin “Tigrat” sepse nuk ka pasur forcë. Argumenti më i madh i tyre me të cilin dalin në opinion është përfaqësimi i shqiptarëve në institucioninet e shtetit, por ata harrojnë se përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në institucionet e shtetit është obligim kushtetues dhe derisa në vitin 2021 nuk ke arritur ta plotësosh atë obligim kushtetues, kjo më shumë flet për dështimin se për të arriturat”, tha Rashidi./Gazeta LAJM