Thoni se Albini nuk di se çfarë bën! Nxirreni në opozitë që ta shihni më mirë si mbrohet Kosova!

Shkruan:  ENVER BYTYÇI 

 

Albin Kurti ka thënë dje se është i gatshëm për diskutime dhe bisedime, porse “Kosovën e pavarur, sovrane e demokratike nuk e dorëzon te bandat serbe dhe te Serbia“! Ai ka kërkuar arrestimin e ndëshkimin e uniformave serbe të bandave, të cilat në fund të muajit maj dhunuan policinë e gazetarët e Kosovës si dhe ushtarët e KFOR-it. Ka kërkuar rikthimin e normalitetit në katër komunat e veriut e më pas ka premtuar edhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme. Zoti Kurti është deklaruar se është i vetëdijshëm se me 3-4 përqind të pjesëmarrjes në zgjedhjet e kaluara, kryetarët e zgjedhur nuk e gëzojnë legjitimitetin e plotë.

Pra, kryeministri i Kosovës kërkon rikthimin e paqes e të stabilitetit në veri të vendit, largimin e forcave të dhunës që Beogradi dhe presidenti i Serbisë i ka dërguar aty dhe më pas plotësimin e kërkesës së ndërmjetësuesve amerikanë e evropiane për organizimin e zgjedhjeve. Ndërsa presidentja Osmani ka shtuar se zgjedhjet mund të bëhen, nëse 20 përqind e zgjedhësve i kërkojnë ato përmes një peticioni. Kjo, thotë presidentja, është kërkesë kushtetuese. Ajo kërkoi njëkohësisht dënimin e dhunës që Serbia ushtroi në veri të vendit.

Në këto qëndrime personalisht nuk shoh asnjë përpjekje ose tentativë të qeverisë, presidentes ose aktorëve të tjerë për të tensionuar situatën në veri të Kosovës. Përkundrazi, situatën e tensionon dhe destabilizon çdo përpjekje e aktorëve Perëndimore, apo opozitarë në Kosovë e zyrtarëve të Tiranës për të justifikuar aktet e dhunshme të Serbisë e të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Nuk shoh gjithashtu në pohimet e Kurtit, Osmanit etj, asnjë argument jo logjik e jo racional. Nuk më duket se kemi të bëjmë me ndonjë demagogji apo veprim në prapavijë që mund të çojë në konflikt. Përkundrazi shoh një qëndrim korrekt, të bazuar në faktet e ngjarjeve të zhvilluara dhe një opsion të qëndrueshëm për paqe. Përkundrazi refuzimi i këtij qëndrimi ngjall dyshime se pas zgjedhjeve të rekomanduara fshihet diçka e rrezikshme për integritetin territorial të Kosovës. Sepse zgjedhje pa dënuar bandat serbe nuk mund të ketë. Këto banda, nëse nuk ndëshkohen nga drejtësia, do të krijojnë sërishmi destabilitet.

Por edhe pse propozimet e rekomandimet e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit çojnë në zgjidhjen e qëndrueshme të konfliktit në veri të vendit, përfaqësuesi amerikan, Gabriel Esckobar dhe ai europian, Miroslav Lajçak, po kërcënojnë Kosovën me sanksione e izolim, si dhe zotin Kurti me shpalljen „non-grata“ me motivin se ai „përbën kërcënim për paqen në rajon“! Nëse ndodh kjo, atëherë është e sigurt se pas këtyre kërcënimeve të përfaqësuesve në fjalë ka një projekt kundër Kosovës dhe pro Serbisë. P.sh mund të jetë implementimi i projektit të Fondacionit Soros në Beograd të prillit 2018, projekt i cili parashikon ndarjen e Kosovës. Jo rastësisht ngado që shkon Vuçiç, Edi Rama dhe Escobar, mbas bythës së tyre gjendet edhe Aleks Sorosi.

E kam bindje se presioni synon implementimin e këtij plani, pasi që propozimet e Kurtit nuk cenojnë aspak paqen e stabilitetin ballkanik. Përkundrazi ato propozime rivendosin plotësisht këtë stabilitet dhe garantojnë sigurinë ballkanike. Megjithatë mediet në Beograd, në Prishtinë, në Tiranë e jo pak medie euro-amerikane kanë marrë në shënjestër qëndrimet konstruktive e të drejta të kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës. „Të premten, thotë Escobar, do t’i raportoj Shtëpisë së Bardhë“, duke u shprehur në formë presioni ndaj zotit Kurti. Madje ka shkuar deri aty, sa të deklarohet se „Nëse asociacionin nuk e krijon Kurti, atë do ta bëjë një qeveri tjetër“!

Duke u ndalur në këto qëndrime, duket qartë se presioni për izolimin e Kosovës nuk janë zgjidhja e krizës dhe e konfliktit. Ta zëmë se do të rrëzohet qeveria Kurti dhe do të vijë një qeveri tjetër. Asnjë kryeministër nuk do të guxojë të firmosë një asociacion që çon në autonomi politike për serbët në Kosovë. Asnjë shqiptar, përfshirë edhe Baton Haxhiun e Edi Rmës, nuk do të guxonte të nënshkruante ndarjen e Kosovës. Ta mendosh këtë, do të thotë të jetosh me iluzione. Imagjino në rastin kur Albin Kurti dhe partia e tij do të ishin në opozitë. Vetëm me luftë mund të zgjidhen disa konflikte që ekzistojnë në Kosovë për fajin e Serbisë.

Vlerësoj gjithashtu se tashmë është vonë, shumë vonë të vazhdohet me presion e trysni ndaj viktimës së Serbisë, Kosovës. Është vonë, sepse Kosova është lodhur me agresionin post-lufte që Serbia ka bërë e bën kundër saj dhe Kosova është ndërgjegjësuar tashmë se do t’i duhet një përballje ushtarake për ta fituar plotësisht lirinë dhe pavarësinë e saj e saj të plotë. Drejt kësaj skeme po e çon Albin Kurti vendin e tij. Shoh se në këtë opsion ai ka edhe mbështetjen e Britanisë së Madhe e mesa duket edhe të Italisë, ushtarët e së cilës pësuan lëndime të rënda nga plumbat e komandove të Vuçiçit, dërguar në veri të Kosovës.

Sa më shumë i bëhet presion Albin Kurtit, aq më shumë ai forcohet e rritet në misionin e tij, ndoshta idealist të një Kosove të lirë, të pavarur, të pandashme, të paprekshme dhe unitare. Ndoshta dalja në opozitë do ta bëjë akoma më aktiv në këtë mision! Atëherë Escobari nuk do të jetë më ndërmjetësues amerikan në Ballkan dhe askush nuk do t’i kërkojë hesap pse nuk i mbajti premtimet për „miqësi të pathyeshme“ me Kosovën, por realizoi ambiciet nacionaliste të Serbisë së Madhe. Ndoshta edhe ai do t’i bashkohet zotit Grenell e zotit Palmer në kompaninë që lobon për Serbinë në SHBA!