Thaçi: Bashkësia Islame të mos imitojë Kishën Ortodokse

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Dialog te Lajmi”, ka kritikuar përpjekjet e Bashkësisë Fetare Islame (BFI) për të ndjekur modelin e Kishës Ortodokse Maqedonase, duke e cilësuar një qasje të tillë si fatkeqësi kombëtare.

“Tentimi i Bashkësisë Fetare Islame për ta imituar Kishën Ortodokse Maqedonase është fatkeqësi kombëtare. Pse? Sepse Kisha Ortodokse Maqedonase është pjesë e një tradite politike bizantine mbi njëmijëvjeçare, e lidhur me krijimin e kombeve, shteteve e kështu me radhë”, deklaroi Thaçi.

Sipas tij, Bashkësia Fetare Islame nuk ka lidhje me këtë koncept historik dhe politik, i cili, siç u shpreh ai, ndërlidhet me proceset e formësimit të kombit shqiptar dhe realizimin e aspiratave të tij historike.

Thaçi vlerësoi se roli i Bashkësisë Fetare Islame nuk duhet të ngatërrohet me modelet historike të institucioneve fetare që kanë pasur ndikim në proceset e shtetformimit dhe të ndërtimit të identitetit kombëtar.