Teuta Arifi i shpall “luftë” virusit korona

Komuna e Tetovës sot realizoi takim për të koordinuar aktivitetet e nevojshme që kanë të bëjnë me masa konkrete për të parandaluar përhapjen e virusit Korona në territorin e komunës së Tetovës raporton TetovaSot. Në takim u sollën vendime si vijon:
– Ditën e premte të fillojë dezinsektimi dhe deratizimi si masë preventive në teritorin e komunës së Tetovës.
– Gjatë ditëve në vazhdim do të fillohet me dezinfektimin e hapësirave dhe objekteve publike me substancë kimike e cila nuk është e dëmshme për shëndetin e njeriut.
– Të formohet shtabi i emergjencës i përbërë nga përfaqësues të Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Qendrës për menaxhim me kriza, Qendrës për shëndet publik, NPK Tetova, Qendrës klinike si dhe Sektorit për punë të brendshme në Tetovë. Ky shtab emergjent do të koordinojë aktivitet e nevojshme për menaxhimin e situatës me përhapjen e Korona virusit.
– Të bëhet larja dhe dezinfektimi i rrugëve në qytet.
– Këshillohen qytetarët që gjatë kësaj periudhe ti evitojnë ambientet e mbyllura, qendrat tregtare, spitalet dhe kopshtet e lojërave për fëmijë.
– Rastet me temperaturë të lartë dhe simptomatologji tipike për këtë sëmundje duhet të mos dalin nga shtëpia dhe urgjentisht të kontaktojnë numrin e telefonit QSHP Teetovë – 075 240 464.