U ndalua nga policia për kontroll, por u ushtrua dhunë ndaj tij. Kështu thotë 22 vjeçari Albinot Murati nga Sllatina e Tetovës që kishte ardhur dhe në spitalin klinik të Tetovës për të kërkuar ndihmë mjekësore. Sipas Albinotit ai bashkë me dy shokët e tij deri sa kanë qenë duke shkuar në shtëpi nga Tetova në hyrje të fshatit Sllatinë janë ndaluar nga dy vetura të inspektorëve policor dhe janë keqtrajtuar dhunshëm pa asnjë arsye.
“Na ndaluan, dhe kur na ndaluan u sollën keq më mua, më tërhiqeshin na përplasnin. Unë nuk e shohë të drejtë këtë gjë. Nuk ka pas asnjë arsye, për kot e kot. Të themi se ka pas ndonjë arsye ama nuk ka pas asnjë arsye. Ata mua më kanë zënë më kanë rrahur, nga këmbët, nga veshkat, mesi më dhemb. Edhe ka qenë puna se s’kisha asnjë dokument, do më sjellin në stacion në Tetovë. Këta e kishin bërë se unë e kam rrahur policinë, por unë atë gjë nuk e pranoj se ata gjë nuk e kam bërë.”
Sipas Albinotit gjatë kontrollit kanë qenë tetë e më shumë pjesëtarë të policisë.
“Kanë qenë shtatë tetë vetë, ndoshta edhe dhjet. Dy tre vetura. Asgjë të jashtë ligjshme nuk ka pasur.”
Edhe shokët e Albinotit që kanë qenë me të gjatë kontrollit thonë se ata nuk e kanë parë në asnjë rast se shoku i tyre ka sulmuar pjesëtarë të policisë.
“Ishim në Tetovë me këta shokët edhe ishim duke u kthyer në fshat dhe na ndaluam policia. Ishin rreth 10 vetë dhe dy nga ata pasi e zbritën këtë që është i sulmuar e rrahën kot e kot. Nuk u bëri asgjë na tërhoqën zvarrë edhe mua edhe atë. As u ka ngritur duar asgjë, e rrahën kot e kot”, tha Emir Jonuzi.
“Në hyrje të fshatit Sllatinë sa hyrën na bllokuan rrugën. Na bën kontroll dhe nuk na gjetën asgjë të jashtëligjshme. Edhe pas kontrollit ata kontrollonin veturën dhe unë vetëm kur e pash shokun ai ishte me gjak , duart i kishte me gjak dhe buzët i kishte të mbushura me gjak. Aty më tregoi se e kanë rrahur inspektorët. Më pas e kam parë se e tërhiqeshin zvarrë. Erdh policia e Tetovës dhe e morën, arsyeje se nuk kishte letërnjoftim dhe më pas nuk e dimë se çfarë u bë”, deklaroi Enis Salihi.
Nga policia thonë të kundërtën. Në raportin që kanë dorëzuar, policia thotë se 22 vjeçari ka sulmuar pjesëtarët e policisë gjatë kryerjes së kontrollit.
“Me datë 01.12.2022 në ora 23.15 në rrugën lokale në Sllatinë në Tetovës, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria personin A.M. (22) nga fshati Sllatinë për shkak se i njëjti ka sulmuar fizikisht zyrtarët policorë të cilët po kryenin veprime zyrtare. Ai është ndaluar në komisariat dhe pas dokumentimit të plotë të rastit do të vijojë parashtresa përkatëse”, thonë nga SPB Tetovë.
Albinoti thotë se kjo nuk është hera e parë që është ndaluar nga policia, por kjo është hera e parë që është sulmuar fizikisht nga pjesëtarët e policisë. Ai shtoi se drejtësinë do e kërkojë deri në fund në gjykatën e Tetovës./TV21