Tetova në kaos komunikacioni, mungojnë vendet për parkim

“Ashtu sikur çdo vit, edhe sivjet, tollovia në komunikacion në qytetin e Tetovës sërish prezentë. Rrugë të bllokuara, sidomos aorta kryesore në hyrje dalje të qytetit. Zgjidhje nuk ka. Përbërja e re e komunës së Tetovës premtoi se shpejtë do e zgjidh këtë problem, por tani arsyetohen se periudha e shkurtër e menaxhimit me komunën e Tetovës ka bërë të pamundur zgjidhjen e këtij problemi”.

Banorët ankohen se sidomos gjatë ditës për të arritur nga njëri skaj i qytetit deri në qendër të duhen madje edhe gjysmë ore. Kërkojnë nga autoritetet të merren masa.

“As s`mund të lëvizësh as pasagjer s’mund të marrish asgjë. Më mirë mos me dal aspak në rrugë. Nervozë ka shumë po njëjtë është, ju thash s`duhet me dalë aspak. Merren disa masa por të përkohshme një muaj dy dhe stagnon dhe vazhdon sërish e njëjta. Tetova- Tetovë është nuk ndryshon”.

“Te vozitësit kjo pengon shumë. Nuk respektohen shenjat e komunikacionit. Kjo nervozë më krijon shumë se lejen e kam marr në ish Jugosllavi. Kjo është nga mos respektimi i shenjave të komunikacionit dhe e dyta infrastruktura, plani urbanistik që është i dëmshëm për gjithë popullatën”.

Për ta evituar kaosin në komunikacion, janë hapur për parkim veturash edhe dy oborret e shkollave në qytet. I pyetur për zgjidhjen e këtij problemi, kreu i komunës Bilall Kasami ka theksuar se javën e ardhshme do shpalos planin për zgjidhje afatgjate.

“Kemi identifikuar dy parcela ku mund të ndërtohen parkingje në kate që ka të bëj me Tregun dhe me planin urbanistik do parashihen edhe dy parcela tjera për parkim në kate, tek gjyqi dhe Kodër të Diellit,. Me këtë parashihet që numri i vend parkimeve të arrij mbi 1500”, deklaroi Bilall Kasami. Kryetar i komunës së Tetovë.

Tetova për momentin ka rreth 400 vende për parkim makinash, kundrejt mbi 40 000 makina të regjistruara, të cilave gjatë sezonit të ardhjes së mërgimtarëve iu shtohen edhe mijëra makina të tjera. Shkaku i kësaj krijohet kaos në komunikacion për vite me radhë, ndërsa zgjidhje nuk ka pasur asnjëherë./Alsat.mk