Tërmetet, Qyteti i Shkupit do t’i dhurojë 50.000 euro Zagrebit

Qyteti i Shkupit do të dhurojë 50.000 euro ndihmë për Zagrebin, i cili këto ditë ishte goditur nga seria e tërmeteve.

“Qyteti i Shkupit, si qytet i solidaritetit dhe qytet i binjakëzuar me Zagrebin, do të dërgojë ndihmë humanitare pas tërmeteve të mëdha të cilat këto ditë e goditën kryeqytetin e Kroacisë dhe shkaktuan dëm të madh material. Vendimin për ndihmën humanitare e cila është në vlerë prej 50 mijë euro, e nënshkruajti kryetari i Qytetit të Shkupit Shilegov”, informojnë nga Qyteti i Shkupit.

Kryetari i Qytetit të Shkupit Shilegov në telefon ka biseduar me homologun e tij të Zagrebit Millan Bandiq dhe, duke i marrë parasysh rrethanat, kufijtë e mbyllur dhe gjendjen e jashtëzakonshme gjithkund në botë, janë dakorduar që ndihma, e cila zakonisht përbëhet nga materialet dhe njerëzit për ndihmë gjatë katastrofave, këtë herë të jetë, siç thonë nga Qyteti i Shkupit, shumë simbolike financiare.

Të hënën në orët e mëngjesit Zagrebi ishte goditur nga seri e tërmeteve, në të cilat ka persona të vdekur dhe të lënduar, ndërsa është shkaktuar edhe dëm më i madh material në të cilin janë evidentuar mbi 5.500 objekte të dëmtuara.

Shkupi dhe Zagrebi janë qytete të binjakëzuara që nga viti 2011 dhe deri tani kanë bashkëpunim në fushën e arsimit, sportit, komunikacionit dhe kulturës.

Loading...