Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot ka pasur tensione dhe përplasje mes deputetëve kryesisht të partive shqiptare, ndërsa për shkak të situatës së krijuar, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka thirrur koordinim të jashtëzakonshëm.
Deputetët nga BDI, Lidhja Shqiptare dhe Aleanca për Shqiptarët e kritikuan Gashin se po e shkel Rregulloren, ndërsa ky i fundit u është përgjigjur se nuk do të lejojë që me vërejtje proceduriale ta bllokojnë seancën.
Një fillim i stuhishëm i seancës parlamentare ku pika e parë është ligji për Shkupin – Kryeqytet Evropian i Kulturës.
Partitë opozitare nga blloku shqiptar me vërejtje proceduriale nuk lejojnë të fillojë seanca, pas së cilës kryetari i Kuvendit Afrim Gashi thirri koordinim të jashtëzakonshëm me shefat e grupeve parlamentare.
Sali Murati nga BDI- Fronti Evropian tha se janë caktuar tri seanca dhe përsëri nuk është respektuar Rregullorja, duke shtuar se seanca e parë është caktuar më 27 korrik pasdite, të njëjtën ditë është caktuar e dyta dhe dje u caktua e treta.
Sipas tij, shkelet neni 74 paragrafi 1, përkatësisht se materialet u dërgohen deputetëve të paktën 10 ditë pune para seancës.
Ai theksoi se nuk është marrë asnjë arsyetim për urgjencën e caktimit të tri seancave në një ditë.
Kryetari i Kuvendit Gashi u përgjigj se u thirr në nenin e Rregullores që i mundëson atij të thirrë seancë urgjente.
Ilire Dauti nga Lidhja Shqiptare tha se Gashi ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren. Ajo i vërejti Gashit se materialet që i kanë marrë në gjuhën shqipe nuk kanë as nënshkrim të kryetarit, e as numër arkivor, duke shtuar se dokumenti është firmosur vetëm në gjuhën maqedonase.
Gashi arsyetoi se pikërisht për shkak të urgjencës së seancës nuk ka arritur t’i nënshkruajë materialet edhe në gjuhën shqipe.
Koordinatorja e grupit parlamentar të BDI-së, Rina Ajdari, tha se nuk ka logjikë në shpjegimin e Gashit dhe se kjo paraqet mosrespektim të Rregullores.
Gashi u nervozua dhe i kërkoi Ajdarit të ketë kujdes se si i drejtohet, duke shtuar se nuk do të lejojë keqpërdorim të së drejtës për fjalë proceduriale.
Dauti i vërejti kryeparlamentarit se pika e parë është në kundërshtim me ligjin për përdorimin e gjuhëve, ndërsa nga vendi ka reaguar koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski.
Dauti iu drejtua Gashit dhe Micevskit duke kërkuar kujdes në sjelljen ndaj gjuhës shqipe.
Halil Snopçe nga ASH e pyeti Gashin nëse jetojmë në autokraci apo demokraci, duke thënë se është turp ajo që po bën, ndërsa Gashi iu përgjigj se ka dashur t’ia ruajë autoritetin, por kjo varet prej tij.
Adnan Azizi nga VLEN tha se opozita qëllimisht bën cirk për ta bllokuar ligjin për Shkupin, duke shtuar se ata nuk kanë argumente dhe se bëjnë shfaqje para kamerave, pasi kur kanë qenë në pushtet nuk e kanë zbatuar gjuhën shqipe në institucione.
Për të qetësuar tensionin e krijuar, Gashi thirri koordinatorët në një koordinim të jashtëzakonshëm.(INA)



