Teleferiku në “Vodno” s’do të funksionojë gjatë verës

Teleferiku i Vodnos nuk do të funksionojë gjatë gjithë verës sepse ekziston rreziku i rrëzimit të ndonjë gondole, tha për SDK.mk kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgievski. Ai tha se 15 vjet pas lançimit të teleferikut, nuk është kryer asnjë servisim nga prodhuesi “Dopelmaer” dhe për këtë arsye ka dëmtime serioze që mund të çojnë në tragjedi, transmeton Portalb.mk.

Teleferiku u mbyll më 25 prill, me një njoftim nga NTP “Shkup” që e menaxhon atë se nuk do të funksionojë për dy ditë, por pas kontrolleve të kryera nga ekipi i prodhuesit austriak, autoritetet e qytetit vendosën të mos e rikthejnë atë në trafik.

“Kërkova që të vinin përfaqësues të ‘Dopelmaer’, pas së cilës u përcaktua se nuk ishte kryer asnjë servisim. U kërkuan oferta nga kompania, por më kot. Asnjëherë nuk u lidh një kontratë për një shërbim të plotë. Inspektimi tregoi se gomat ishin konsumuar dhe kjo po shkaktonte fërkim në gondola. Disa sensorë gjithashtu nuk funksiononin. Për këto arsye, një gondola mund të ishte shkëputur”, thotë Gjorgjievski.

NTP “Shkup” tani pret që kompania austriake të paraqesë një ofertë se sa do të kushtojë servisimi.

“Nuk mund të themi saktësisht se sa do të zgjasë servisimi, po presim të marrim ofertën nga ‘Dopelmaer’, por është e sigurt se nuk do të funksionojë këtë verë”, shton Gjorgjievski.

Vitin e kaluar, katër persona vdiqën në Napoli pasi një kabinë teleferiku u shkëput, ndërsa një turist gjerman vdiq në Durmitor në Mal të Zi pasi ra nga gondola.

Teleferiku nga Vodno e Mesme deri në Kryqin e Mileniumit u ndërtua gjatë qeverisjes së mëparshme të VMRO-DPMNE-së dhe u vu në funksion më 3 qershor 2011. Teleferiku u ndërtua nga kompania austriake “Doppelmaer” dhe kushtoi 6.7 milionë euro. Ka 28 kabina me kapacitet mbajtës prej 640 kilogramësh dhe kapacitet për tetë persona, si dhe dy kabina VIP për katër persona secila. Gondolat në pjesën e jashtme janë të pajisura me mbështetëse për biçikleta.