Shkup, 8 maj, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, së bashku me
këshilltarin komunal prof. Namik Durmishi, po qëndrojnë në Sarajevë me rastin e Ditëve të
Komunës së Stari Gradit, komunë me të cilën Gostivari është i binjakëzuar.
Delegacioni gostivaras u prit nga kryetari i Komunës së Stari Gradit, z. Irfan Çengiç, në një
atmosferë miqësore dhe vëllazërore, duke riafirmuar raportet e mira ndërmjet dy komunave.
Gjatë vizitës, Limani dhe Durmishi morën pjesë në seancën festive të Këshillit të Komunës së Stari
Gradit, si dhe në darkën zyrtare të organizuar me këtë rast, ku u shkëmbyen dhurata simbolike në
shenjë respekti, bashkëpunimi dhe miqësie të ndërsjellë.
Në kuadër të aktiviteteve, delegacioni mori pjesë edhe në promovimin e rikonstruktimit të “Bijela
Tabija”-së, një nga monumentet më të njohura historike dhe turistike të Sarajevës.
Me këtë rast, ata patën mundësinë të takohen edhe me kryetarin e Sarajevës, z. Samir Avdić.
Kryetari Limani thekson se turizmi, trashëgimia kulturore dhe veprimtaria e bashkëatdhetarëve në
Sarajevë mbeten ura të fuqishme bashkëpunimi dhe afrimi ndërmjet Gostivarit dhe Stari Gradit.





