Teherani: E pamundur hapja e Hormuzit për momentin

Në Ngushticën e Hormuzit, situata vijon të jetë e tensionuar.

Sipas të dhënave të gjurmimit detar, dy anijet e sekuestruara nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit, janë vendosur pranë brigjeve iraniane, raporton CNN.

Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se anijet janë shoqëruar drejt ujërave territoriale të vendit pas ndërhyrjes së forcave detare, duke i akuzuar për shkelje të rregullave.

Ngjarja konsiderohet si një përshkallëzim i mëtejshëm në një nga korridoret më strategjikë të botës për transportin e naftës, ku kalon rreth 1 e 5 e furnizimit global.

Ndërkohë, publikimi i videos nga mediat shtetërore iraniane, që pretendohet të tregojë momentin e marrjes nën kontroll të anijeve, është vënë në dyshim nga ekspertët ndërkombëtarë. Ata pretendojnë se pamjet mund të jenë të inskenuara për qëllime propagandistike.

Analistët theksojnë mungesën e ekuipazhit në pamje, si dhe elemente të tjera që sugjerojnë se videoja mund të jetë montuar.

Pala iraniane ka akuzuar SHBA-në për situatën e tensionuar.

Kryenegociatori i Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, deklaroi se nuk do të rihapet Ngushtica e Hormuzit për shkak të shkeljeve flagrante të armëpushimit nga SHBA-të dhe Izraeli.

Edhe Presidenti iranian Masoud Pezeshkian theksoi se bllokada amerikane dhe “shkelja e angazhimeve” janë pengesat kryesore për negociatat.

Përpos kësaj, çmimet e naftës u rritën menjëherë pas raportimeve për sulmin iranian ndaj tre anijeve në Ngushticën e Hormuzit.

Brent, çmimi global i naftës së papërpunuar, po luhatet rreth 103 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA u ngjit mbi 94 dollarë.

Klan News