Universiteti i Tetovës dhe Universiteti “Fehmi Agani” nga Gjakova nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi

Në ambientet e Universiteti i Tetovës, më 22 prill 2026, u nënshkrua Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit akademik, shkencor dhe profesional ndërmjet dy institucioneve të arsimit të lartë.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë, Prof. Ass. Dr. Drilon Bunjaku, si konfirmim i vullnetit të përbashkët për thellimin e bashkëpunimit në përputhje me standardet evropiane të arsimit të lartë dhe parimet e Procesit të Bolonjës.

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është zhvillimi i bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë kërkimin shkencor, zhvillimin e programeve studimore dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale. Në këtë drejtim, palët synojnë të krijojnë mundësi të reja për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave akademike.

Bashkëpunimi do të fokusohet në realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe organizimin e konferencave, seminareve dhe trajnimeve të ndryshme. Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe aplikimeve të përbashkëta në programe ndërkombëtare si Erasmus+ dhe Horizon Europe.

Ky partneritet pritet të sjellë përfitime të shumta për të dy universitetet, duke ndikuar në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, në ndërkombëtarizimin e studimeve, si dhe në zgjerimin e mundësive për studentët dhe stafin akademik në aspektin profesional dhe shkencor. Po ashtu, marrëveshja kontribuon në forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar në nivel rajonal dhe promovimin e shkëmbimit të praktikave më të mira.
Rektorët ndanë mendimin e njëjtë që në të ardhmen të organizohet edhe një program i përbashkët mbarëkombëtar me të gjitha universitetet shqipfolëse për mobilitet të studentëve.