Viti 2019 do të mbetet gjatë në kujtesën e shumëkujt.
E njëjta gjë vlen edhe për të famshmit tanë, disa prej të cilëve mirëpritën fëmijë gjatë këtij viti.
Ky vit disa prej fytyrave publike ua dha epitetin prind, e disa u bënë prindër për më shumë se një herë. Lajmi.net sjell listën e të famshmëve që u bënë prindër gjatë vitit 2019 dhe emrat që zgjodhën për fëmijët.
Elita Rudi dhe Gjiko
Moderatorja Elita Rudi dhe Gjiko gjatë muajit shkurt u bënë prindër për herë të parë.
Elita solli në jetë një djalë, të cilin e pagëzuan Zëri, e për të ajo po kujdeset vazhdimisht me shumë përkushtim.
Zëri ua dha epitetin prindër Elitës dhe Gjikos, të cilët janë prindër shumë të lumtur dhe vazhdimisht sjellin pamje bashkë me vogëlushin e tyre.
Diellza Kolgeci dhe Fisnik Rugova
Diellza dhe Fisniku u bënë prindër gjatë muajit shkurt të 2019-ës. Bukuroshja solli në jetë një vajzë, të cilën e pagëzuan Helena.
Helena është fëmija i parë i Diellzës dhe Fisnikut, e cila ishte padyshim dhurata më e mirë e vitit për ta.
Rona Nishliu dhe Flori
Rona Nishliu gjatë muajit korrik njoftoi fansat se u bë nënë për herë të parë.
Këngëtarja solli në jetë një vajzë, të cilën bashkë me bashkëshortin vendosën ta pagëzojnë Noa.
Për ndryshe, Rona gjatë gjithë shtatzënisë nuk ka preferuar të dalë në publik, teksa lajmin se po bëhet nënë e bëri të ditur vetëm pak kohë para lindjes.
Albatrit Muçiqi dhe Egzona Ibrahimi
Një tjetër çift që gjatë vitit 2019 u bekuan me fëmijë janë edhe Albatriti dhe Egzona.
Dyshja për dallim nga të famshmit e tjerë që u përmendën më lart, u bënë prindër të binjakëve.
Egzona solli në jetë djalë e vajzë, që i pagëzuan Elia dhe Erald, të cilët në janar mbushin plot 1 vjet jetë.
Për ndryshe, Albatriti dhe Egzona janë prindër edhe të një vajze, e cila quhet Amelia.
Linda Halimi dhe Big D
Në muajin mars nënë u bë edhe këngëtarja Linda Halimi. Ajo dhe reperi Dawon Edwards, i cili njihet si Big D mirëpritën vajzën Kaimana.
Përmes një postimi, këngëtarja kishte thënë se viti 2019 është më i miri në jetën e saj, e shkak për këtë është vajza Kaimana.
Sara Hoxha dhe Ledion Liço
Trashëgimtarja e Top Channel, Sara Hoxha dhe bashkëshorti i saj, gjatë vitit 2019 u bënë prindër për herë të dytë.
Sara lindi një djalë, të cilin e pagëzuan me një emër unik, Roman.
Për ndryshe dyshja janë po ashtu prindër edhe të një djali, të cilin e quajnë London.
Gjira dhe bashkëshorti i saj
Edhe Gjira në vitin 2019 u bë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë një djalë, të cilin e pagëzoi Maël.
Ajo tash e një kohë nuk është aktive në muzikë, ndërsa po kujdeset në maksimum për djalin.
Eliza Dushku dhe Peter Palandijan
Aktorja Eliza Dushku në muajin gusht të vitit 2019 u bë nënë për herë të parë.
Ajo dhe partneri i saj Peter Palandijan mirëpritën një djalë që ia vendosën emrin Philip Bourne.
Ermal Fejzullahu dhe Ariana Fejzullahu
Ermali dhe Ariana për dallim prej emrave të lartpërmendur, gjatë vitit 2019 u bënë prindër për herë të katërt.
Në fund të muajit shtator, Ermali dhe Ariana njoftuan se janë bërë prindër për herë të katërt.
Ariana lindi një vajzë, të cilën vendosën ta pagëzojnë me emrin Ana, ndërsa kanë edhe tre fëmijë të tjerë.
Arti, Buna dhe Era, janë tre fëmijët e tjerë të Ermalit dhe Arianës.
Almeda Abazi dhe Tolgahan Sayisman
Një tjetër çift që u bënë prindër gjatë vitit 2019 janë edhe Almeda dhe Tolgahan.
Dyshja e përjetuan për herë të parë ndjenjën e të qenit prind, ndërsa emrin e djalit ia lanë Efehan.
Almeda dhe Tolgahan janë prindër shumë të lumtur, ndërsa po kujdesen në maksimum për të.
Përveç atyre që u bënë prindër gjatë vitit 2019, ka edhe prej të famshmëve që vitin 2020 e presin me padurim, ngase do ta shijojnë këtë ndjenjë në muajt e parë të këtij viti.
Këngëtarja Yllka Kuqi është shtatzënë për herë të parë, e në 2020-ën do të sjell në jetë fëmijën e saj të parë.
Po ashtu, Miriam Cani dhe Alban Skënderaj presin që në fillim të 2020-ës të bëhen prindër për herë të dytë.
Nga ajo që shihet më lart, kuptohet se viti që e lamë pas ishte vit që u solli shumë gëzime emrave të njohur të shoubizit.