Taravari: Nuk je nacionalist nëse flet shqip, Mickoski: Demantoj Taravarin, asnjëherë nuk folëm për gjuhën shqipe

Me hapjen e kushtetutës për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, shqiptarët duan këtë mundësi ta shfrytëzojnë që të heqin termin 20% dhe të njëjtën ta zëvendësojnë me fjalët “gjuha shqipe”.

Lideri i ASH-së Arben Taravari në Click Plus u shpreh se Aleanca me këmbëngulje dëshiron që kjo të realizohet dhe nuk sheh arsye që dikush të jetë kundër. Ai edhe për VMRO-DPMNE-në thotë se nuk janë kundër.

“Për 20%shin jo që nuk kemi folur në Maqedoni. Kjo temë është hapur prej kur ishte Marrëveshja e Prespës dhe para saj. Ne si Aleancë për Shqiptarët e kemi biseduar edhe me partitë tjera politike, partitë më të mëdha maqedonase të themi. Absolutisht, në mars apo prill 2021 për gazetën Koha atëkohë Mickoski pati shkruajtur se nuk i pengon të largohet 20%shi. Z.Zaev kur votoheshte Marrëveshja e Prespës gjithashtu nga foltorja e Kuvendit tha se në hapjen e ardhshme të Kushtetutës nuk na pengon të largohet 20%-shi”, tha Arben Taravari – Kryetar i ASH.

Por lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski flet diçka tjetër. Thotë Se nuk ka biseduar me Taravarin konkretisht për gjuhën shqipe, ndërkohë sërish përmendi badenterin dhe balancuesin si kushte për heqjen e 20%.

“Kjo që është thënë nga z.Taravari e demantoj. Asnjëherë nuk kemi biseduar unë dhe ai për këtë temë. Për këtë temë po por për disa çështje tjera siç janë për atë se çfarë bëjmë me rregullin e badenterit, deri kur do të jetojmë në aparthejt ku pakica mbizotëron mbi shumicën. Çfarë bëjmë me rregullin e balancuesit? Dhe po, jam kundër që Maqedonia të definohet si shtet binacional”, pohoi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

E sipas Taravarit, në Maqedoni ka paragjykime që nëse flet shqip quhesh nacionalist, e nëse kërkon të largohet 20 përqindëshi, atëherë je ultranacionalist.

“Në shtetin tonë për fat të keq nëse flet shqip je nacionalist e nëse thua se duhet të hiqen 20% atëherë je ultranacionalist. Kështu që mendoj se kjo nuk është ndonjë kërkesë nacionaliste apo joraconale apo diçka që ka tendenca për paragjykime. Thjeshtë kërkojmë mbështetje nga bashkëqytetarët tanë me të cilët jetojmë dhe e ndërtojmë këtë shtet”, deklaroi Arben Taravari – Kryetar i ASH.

Përndryshe edhe kryetarja e grupës punuese për ndryshime kushtetuese së fundmi deklaroi që kjo çështje nuk është pjesë e planprogramit të kësaj grupe punuese.