Taravari: Në ASh ka pakënaqësi, por s’ka “Grup Zjarri” (Video)

Ndryshe nga partnerët e koalicionit, BDI dhe LSDM, Aleanca për Shqiptarët, vlerëson se tani është koha për ta hequr nga kushtetuta termin 20% që i referohet përdorimit të gjuhës shqipe. Në një intervistë për gazetën LAJM, Taravari tha se tani duhet të shfrytëzohet momenti sepse nuk dihet më kur do të hapet përsëri kushtetuta. Kreu i ASH-së ka komentuar edhe zërat për pakënaqësi brenda partisë që drejton, duke pranuar se ka persona të pakënaqur, por ka mohuar të ketë fraksione apo përcarje më të thella. Në intervistën për gazetën LAJM, Taravari ka folur edhe për ndryshimet kushtetuese dhe është shprehur optimist se do të sigurohen votat e nevojshme për t’i futur bullgarë në Kushtetutë.

“Në çdo parti çdo herë ka grupe të pakënaqura, por pakënaqësi të theksuara apo fraksione nuk ekzistojnë në ASH, asnjëherë nuk kanë ekzistuar, por kanë ekzistuar çdo herë spekulime se ka përçarje, se ka mosmarrëveshje, por e them me sinqeritetin më të madh se tani për tani nuk kemi ndonjë grupacion serioz, njerëz të pakënaqur ka pasur dhe përsëri ka. Por, ka edhe njerëz të rinj që na bashkangjiten çdo ditë. Ne kemi ditur dhe do të dijmë ta mbajmë balansin brenda partisë”, tha Taravari për Gazetën LAJM.

Intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.