Taravari mysafir i ambasadorit Baumgartner: ASH e palëkundur në rrugëtimin evropian të vendit

Aleanca për Shqiptarët vazhdon angazhimin e palëkundur në rrugëtimin evropian të vendit. Këtë në takim me ambasaodrin francez në vendin tonë e ka theksuar lideri i ASH-së, Arben Taravari.

Siç njofton vetë kryetari Taravari, me ambasadorin franceze, z. Cyrille Baumgartner, janë takuar për një mëngjes pune në Rezidencën e Francës në Shkup, ku temë bisede kanë qenë zhvillimet në vend dhe rajon.

“Kënaqësi t’i bashkëngjitesha sot Sh.T. Ambasadorit të Republikës franceze, z. Cyrille Baumgartner, për një mëngjes pune në Rezidencën e Francës në Shkup. Me Ambasadorin, patëm këmbime të frytshme rreth aktualitetit politik dhe zhvillimeve në vend dhe rajon. Konfirmova angazhimin e palëkundur të Aleancës për Shqiptarët për ndryshimet kushtetuese dhe rrugëtimin evropian të vendit, duke falënderuar Ambasadorin për përkrahjen atkive të Republikës franceze drejt këtij synimi strategjik të vendit dhe aleatëve tonë”, shkruan në rrjetet sociale, Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Ndryshe, Taravari ditë më parë në një intervistë “ClickPlus” në TV21 theksoi se këto ditë do të ketë takime intenzive me ambasadorë të huaj në vendin tonë për të biseduar rreth ndryshimeve kushtetuese, pozicionon e ASH-së në Qeveri, por edhe me palë të tjera për të marrë opinion mbi zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që duhet të mbahen pranverën e vitit të ardhshëm.