Taravari: Mickoski është i orientuar drejt BE-së! Ne do t’i çelim negociatat!

“Jam shumë i lumtur që kryeministri Hristijan Mickoski është i orientuar drejt Bashkimit Evropian”. Kështu është shprehur kryetari i ASH-së, Arben Taravari në një intervistë për gazetën LAJM.

Taravari, është i bindur se deri në dhjetor do të fillojë procesi për ndryshimet kushtetuese, ndërsa u zotua se qeveria aktuale do t’i fillojë negociatat me BE-në.

“Jam shumë optimist se do të ndodhin ndryshimet kushetuese. Unë them se fatmirësisht që Shqipëria i filloi negociatat dhe ia kemi uruar edhe Shqipërisë. Fatkeqësisht, Maqedonia nuk i filloi negociatat dhe u ndamë prej Shqipërisë. Unë besoj se në periudhën deri nga mesi i dhjetorit, është ajo përiudhë kur ka një hapsirë që Maqedonia të kalojë këtë fazë të ndryshimeve kushtetuese. Ju garantoj se do t’i kishim filluar negociatat nëse në Bullgari do të kishte një Qeveri stabile, e cila do të jepte garanca se ky është kushtëzimi i fundit, por në Bullgari kemi Qeveri teknike. Unë besoj se deri në fund të këtij muaji, këtu do të kemi përfaqësues të lartë të BE-së. Zgjedhjet në Amerikë janë në nëntor, besoj se edhe atje kushdo qoftë të zgjidhet president i SHBA-ve do të ketë njëfarë inkuraimi për Qeverinë e Maqedonisë për ndryshimet kushtetuese.

Unë jam shumë i lumtur që kryeministri i Maqedonisë është një njeri që është qartë i orientuar, është definitivisht i orientuar nga BE-ja dhe dëshiron që kjo të ndodh për RMV-në sa më shpejtë. Aty jemi edhe ne si VLEN për ta inkurajuar, besoj se edhe faktori ndërkombëtarë që ja don të mirën RMV-së do ta inkurajoj dhe besoj se Qeveria e RMV-së deri nga fundi I vitit do të filloj ndryshimet kushtuese. Unë jam shumë optimist se do t’i fillojmë negociatat. Unë prej këtu sot e them se 100% kjo Qeveri gjatë të saj do t’I fillon negociatat dhe do t’i zhvillojë goxha bisedimet me BE-në”, tha Taravari gjatë një interviste për gazetën LAJM.