Taravari: Jemi shteti i vetëm në botë që nuk kemi një strategji për të përballuar këtë pandemi

Mjeku Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, i ftuar në emisionin “Rruga drejt” në Alsat duke folur për menaxhimin e koronavirusit tha se Maqedonia e Veriut është i vetmi vend në botë, që ende pas 7 muajsh, nuk ka një strategji për menaxhimin e pandemisë. Ai tha se duke pare numrat në vendin tonë, qeveria ka dështuar plotësisht me menaxhimin e pandemisë, duke përmendur numrin e lartë të të prekurve dhe të të vdekurve krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Është e vërtet se ka rritje të numrit të infektuarve, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Serbi, Shqipëri, Evropë edhe botë. Por një fakt është i pamohueshëm sepse nëse bëjmë kategorizimin e shteteve në bazë se si është menaxhuar kriza e kovidit, do të shohim se Maqedonia është në grupin e katërt, dmth. të fundit në sukseshmërinë e menaxhimit të kësaj krize. Këtë fakt nuk po e them unë por e kanë nxjerrë institucione relevante ndërkombëtare. Po sipas këtyre organizatave në bazë të vdekshmërisë nga ky virus Maqedonia është në vendin e 21, dmth. një nga më të këqijtë në botë, 400 në një milion banor. Nëse krahasohemi me shtetet përreth nesh do të shohim se Greqia ka 40 të vdekur në një milion banorë, Bullgaria 110, Serbia 150. Pra Maqedonia është në absolut me numrin më të lartë. Jemi shteti i vetëm në botë që nuk ka një strategji për të përballuar këtë pandemi. As udhëzime tonat nuk kemi./Alsat