Taravari: Është e udhës që qeverisë t’i japim 100 ditë, më pas zgjedhje

“Zgjedhje të parakohshme duhet të ketë, edhe pse ne besojmë se duhet të jepen njëqind ditë për qeverinë e re. Mendoj se së pari kjo qeveri do të ketë krizë legjitimiteti sepse kryeministri aktual nuk ka dalë kurrë në zgjedhje”.

Këtë e deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, për “Utrinski Brifing”, përcjell Telegrafi Maqedoni. Megjithatë, ai tha se shumica në Kuvend e jep legjitimitetin.

“BDI-ja premtoi sërish kryeministrin e parë shqiptar dhe gënjyen. Alternativa shkoi me ne në zgjedhje dhe së bashku kërkuam ndryshimin e BDI-së, dhe ata nuk votuan që Alternativa të jetë në koalicion me BDI-në. Është e udhës t’ia lëmë qeverisë njëqind ditë. Nuk ka kohezion në vetë LSDM-në, ku ka grupe të ndryshme që janë në luftë me njëri-tjetrin”, tha Taravari.

“Ka dallim mes legjitimitetit dhe ligjshmërisë. Kjo qeveri ka ligjshmëri. Legjitimiteti është një kategori tjetër. Për mendimin tim është e pashmangshme që zgjedhjet e parakohshme të mbahen diku në shtator”, tha Taravari.