Deputeti Skender Rexhepi Zejd ka vënë në pikëpyetje gatishmërinë e qeverisë Mickoski për të hequr dorë nga përfitimet që burojnë nga industria e lojërave të fatit, në kohën kur mijëra familje përballen me krizë ekonomike, borxhe dhe kredi të shpejta.
Në fjalimin e tij në Kuvend, Rexhepi ka paraqitur shifra alarmante për miliarda euro që qarkullojnë në industrinë e bixhozit, duke ngritur shqetësimin për kontrastin mes përfitimeve të kësaj industrie dhe vështirësive ekonomike të qytetarëve.
Sipas tij, VMRO-VLEN erdhi në pushtet duke premtuar luftë kundër bixhozit, por ky premtim, siç vlerëson ai, mbeti vetëm në fushatën parazgjedhore dhe nuk u përkthye në veprime konkrete.
Rexhepi i kërkon qeverisë të dëshmojë nëse është e gatshme të vendosë interesin e familjeve qytetare mbi përfitimet nga industria e lojërave të fatit.
“Kërkesa jonë mbetet e panegociueshme: MBYLLJE TOTALE e lojërave të fatit, qofshin ato fizike apo online!”, thekson deputeti Skender Rexhepi Zejd.



