Edi Rama midis Lindjes dhe Perëndimit

Kryeministri shqiptar Edi Rama është ndër liderët e paktë të rajonit dhe Europës, që në mënyrë transparente dhe pa ekuivoke bën politikë diplomatike me Perëndimin, por edhe me Lindjen. Nuk i pengon të bëjë negociata me BE-në, të ketë raporte të shkëlqyera me SHBA-në dhe, në të njëjtën kohë, të jetë në raporte miqësore me Erdoganin dhe në marrëdhënie ndërshtetërore me shtetin turk.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Shqiptarët gjithmonë kanë qenë në udhëkryq gjeopolitik gjatë historisë! Ka pasur trajtesa të ndryshme shkencore dhe qasje filozofike lidhur me orientimin strategjik të shqiptarëve dhe, si përfundim, është konstatuar se shqiptarët janë mes Lindjes dhe Perëndimit, ndërsa kulturalisht dhe në dimensionin civilizues i përkasin hemisferës perëndimore, ndërsa në aspektin fetar dominon hemisfera e Lindjes përkatësisht civilizimi islam.

“Shoku” Rama si shoku Tito

Ka pasur gjithmonë dhe ka politikanë që pak me simbolikë e më shumë me poltronizëm ndaj faktorit ndërkombëtar thonë ditë e natë që “Dielli i shqiptarëve lind në Perëndim”! Të paktë janë liderët shqiptarë të shprehen hapur se duhet kultivuar raporte korrekte politike, diplomatike dhe ekonomike edhe me shtetet e Lindjes.

Në stilin e ish udhëheqësit jugosllav Josip Broz Tito, i cili është njëri ndër themeluesit e Lëvizjes së Shteteve të Painkuadruara, në të cilën zakonisht bënin pjesë shtetet e bllokut të tretë, lideri i Shqipërisë, Edi Rama, po luan në stilin “Me të gjithë”. Titoja kishte raporte të mira me shtetet komuniste të Lindjes dhe me shtetet lindore, si Egjipti, Siria, India e të tjera, të cilat edhe i shfrytëzonte ekonomikisht, por ruante raporte edhe me Perëndimin, edhe pse sistemi politik i ish RSFJ-së ishte komunist dhe jokompatibil me atë të Perëndimit. Rama, ndërkohë, praktikisht demonstron se në politikë duhet të jesh fleksibil dhe elastik e jo statik dhe me qëndrime rigide.

Mik i Makronit dhe Erdoganit!

Kryeministri shqiptar është njëri ndër ata që politikën e ka kuptuar si art i të mundshmes, e jo si art i pozicionimeve ekstreme gjeopolitike. Shqipëria tashmë anëtare e NATO-s, që nga koha e Berishës, ndërsa në kohën e Ramës po bën përpjekje titanike për anëtarësim në Bashkimin Europian. Në qershor, me gjasë, Shqipërisë do t’i ndodhë konferenca ndërqeveritare me Bashkimin Europian, që do të thotë një hap drejt anëtarësimit të plotë në BE, pavarësisht nëse do të jetë në pako me Maqedoninë e Veriut. Ky është rezultat i madh që, midis tjerash, ose më shumë i atribuohet Edi Ramës dhe qeverisjes së Partisë Socialiste.

Raporte të afërta ai ka edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fakti që kundërshtari i tij politik, Sali Berisha, dhe familja e tij janë futur në listën e zezë të Uashingtonit për korrupsion dhe abuzime me fondet publike, si dhe lajmi i kumtuar nga vetë Sekretari i Departamentit të Shtetit Amerikan, Antoni Blinken, vetvetiu është dëshmi e madhe se të parit të socialistëve i trasohet rrugëtimi politik pa ndonjë pengesë nga konkurrenca politike. Aq më shumë që kjo shpallje ndodh në momentet paszgjedhore, kur Partia Demokratike e Lulzim Bashës e akuzon Ramën dhe aparatin shtetëror për “masakër zgjedhore”.

Kjo do të thotë që shteti dhe qeveria shqiptare janë të palëkundura në procesin e orientimit strategjik drejt Perëndimit. Edi Rama, një lider socialist, por jokonvencional, i veshur herë me shallvare e herë me atlete edhe në takime zyrtare të nivelit të lartë, edhe pse e drejton partinë trashëgimtare të Partisë së Punës së Enver Hoxhës, natyrisht se vepron krejtësisht në kahe të kundërt me ish diktatorin. Nëse Enver Hoxha krijonte relacione të afërta herë me Rusinë e herë me Kinën, Edi Rama është profil tjetërfare në aspektin e politikës së jashtme dhe diplomacisë.

Ai nuk mjaftohet me kaq, por shkon një hap përtej, duke ndërtuar edhe raporte personale miqësore me liderët botërore. I tillë është me presidentin francez, Emanuel Makron, me të cilin – siç ka shpjeguar vetë në një intervistë – shfrytëzon kohën pas takimeve zyrtare shumëpalëshe ose dypalëshe për të biseduar në darka private mbi historinë e Francës, por edhe të Ballkanit. Rama vetë ka jetuar në Paris, ku ka punuar si piktor, prej nga në Tiranë ka ardhur së pari si ministër i Kulturës në qeverinë e Fatos Nanos, më pas si kryetar i Bashkisë së Tiranës, që sot të jetë në vendin e Nanos, për të cilin ka thënë se “e ka vrarë politikisht”. Sipas tij, ky ka qenë parakusht, që ai sot të jetë një lider në kuptimin e plotë të fjalës.

Rama, si lojtar i mirë në skenën ndërkombëtare, edhe pse drejton një shtet jo të madh, nuk ka raporte të mira vetëm me liderët e Perëndimit, por edhe të Lindjes. Nuk e fsheh asnjëherë miqësinë me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, të cilin e cilëson si “mik të çmuar”. Në datat 6 dhe 7 janar të vitit 2021 Rama e vizitoi Ankaranë, ku u prit me nderime të larta ceremoniale nga presidenti turk, ndërsa premtimi që iu dha për ndërtimin e spitalit të madh në Fier brenda tre muajve ka filluar të jetësohet. Rama, duke qenë edhe fenomen mediatik, i njohur për ironinë e tij të hollë, i pyetur nga një gazetare se çfarë mendon lidhur me deklarimin e Berishës se është lider perëndimor, i shkolluar jashtë Shqipërisë, u shpreh se e ndjen veten “lider mysliman”: “Berisha është perëndimor, ndërsa unë jam lider lindor dhe mysliman”, u shpreh me shumë ironi.

Katoliku ndërton xhami

Kryeministri shqiptar, që me bekraund familjar fetar është katolik, në tubime politike me qytetarët manifeston respekt ndaj ezanit, duke ndërprerë fjalimet. Ndërkaq, në një debat është shprehur se “Nëse dikush në Bashkimin Europian është kundër ndërtimit të xhamive, atëherë unë nuk dua të jem në BE”. E thënë me fjalorin e sotëm korrekt politik, me veprime konkrete demonstron tolerancën ndërfetare, që është vlerë, me të cilën shqiptarët duhet të krenohen para botës.

Se politika është fushë në të cilën vetëm interesi është i përjetshëm, e dëshmon piktori që fitoi mandatin e tretë kryeministror. Ka mundësuar dhe lejuar një investim gjigant në Durrës. Kompania “EMAAR” për transformimin e portit të Durrësit do të investojë 2 miliardë euro. Muhamed Alabar është biznesmeni që do ta bëjë investimin, ndërsa me prejardhje është nga Emiratet e Bashkuara. Ai është i njohur si themeluesi i “Emaar Properties” dhe zhvilluesi i kompanive “Burj Khalifa”, “Dubai Marina” dhe “Dubai Mall”. Gjithsesi, se investimi i Alabarit ka qëllime përfituese dhe interesi, por në të njëjtën kohë është në funksion të ndërtimit të një Shqipërie më të bukur në të ardhmen.

Ndonëse me intensitet më të ulët, politikën dhe diplomacinë e hapur me Perëndimin dhe me një pjesë të Lindjes, Ramën e kopjojnë edhe liderët e rajonit: Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev. Por, rezultatet në planin pragmatik mungojnë, më shumë në Maqedoninë e Veriut, sesa në Serbi, në të cilën bëhen investime të mëdha si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja.

Mbetet të shihet se si do të veprojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në drejtim të orientimeve gjeostrategjike dhe gjeopolitike. Edhe pse me Ramën dukshëm vërehet një mosdurim personal, kjo nuk do të thotë se Kurti nuk mund ta kopjojë liderin shqiptar, aq më tepër nëse kjo është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe zhvillimit të saj ekonomik. Edhe pse Kosova, për shkak se vazhdon të mos njihet nga disa shtete të BE-së dhe nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara, nuk e ka komoditetin që të sillet si Shqipëria. Rrjedhimisht, edhe Albin Kurti nuk mund të sillet si Edi Rama! Kryeministri shqiptar, në mandatin e tretë, duhet të dëshmojë se di të ndërtojë relacione të mira edhe me të gjithë shqiptarët, siç ndërton me botën.