Vendimi i qeverisë për lirimin nga pagesa rrugore për shtetasit e Serbisë ka nxitur reagimin e opozitës shqiptare. Albon Xhemaili kryetar i Komunës së Bogovinës nga radhët e Aleancës për Shqiptarët është shprehur se vendimi i këtillë përveç që është skandaloz pasi diskriminon skajshëm edhe banorët e fshatit Sedllarcë dhe Kamjan të komunës së Bogovinës, të cilët, më vite po protestojnë duke kërkuar lirimin nga pagesa rrugore, marrë për bazë afërsinë prej tre kilometrash të fshatit të tyre, por edhe mungesën e rrugës alternative. Xhemaili kërkoi nga qeveria që ta tërheq sa më parë këtë vendim, dhe t`i marr në shqyrtim, kërkesat e banorëve të komunës që ai drejton, lidhur me lirimin nga pagesa rrugore.
“Vendimi skandaloz i marrë nga Qeveria, ku nga Ministria e Ekonomisë duhet të ndahen rreth tre milion euro vetëm për shtetasit e Serbisë që gjatë verës do kalojnë nëpër Maqedoni dhe janë të liruar nga pagesa rrugore, mendoj që është një vendim jo i drejtë si për banorët e këtyre fshatrave që këtu bëjnë pagesë edhe pse tre kilometra kalojnë ndërsa ata do jenë të liruar. Apeloj Qeverinë që të tërheq këtë vendim skandaloz. Të marr një vendim të prerë për banorët e këtyre fshatrave që bëjnë pagesë dhe po ashtu, kjo të vlej vetëm për shtetasit e huaj dhe jo vetëm të Serbisë po gjithë shteteve të rajonit që kufizohen me ne”, deklaroi Albon Xhemaili, ASH.