Kasami: Në Spitalin e Kumanovës do të punësohen 15 shqiptarë, 55 gjithsej në institucionet shëndetësore të Kumanovë
Bashkëkryetari i VLEN-it, Bilall Kasami duke reaguar ndaj debatit për përfaqësimin e shqiptarëve në Spitalin e Kumanovës ka thënë se BDI-ja, krahas këtij institucioni është dashur të përmendë edhe strukturën e punësimit në institucionet e tjera shëndetësore të qytetit.
Duke folur në emisionin “N’Dritë” në Alsat-M, Kasami përmendi Qendrën për Shëndet Publik në Kumanovë, ku sipas tij janë të punësuar 11 shqiptarë dhe vetëm një maqedonas, si dhe Shtëpinë e Shëndetit ku janë 28 shqiptarë dhe pesë maqedonas.
Ai theksoi se punësimet në këto institucione bëhen në bazë të marrëveshjeve politike, nevojave dhe mundësive momentale.
Sa i përket Spitalit të Kumanovës, Kasami tha se kjo çështje, sipas tij, po përdoret nga BDI-ja në debatet politike, ndërsa garantoi se në kuadër të marrëveshjes parashihet punësimi i 15 shqiptarëve.
“Sa i përket Spitalit të Kumanovës është një gjendje që e keqpërdor BDI-ja, por ne garantojmë shqiptarët se është pjesë e marrëveshjes që në Spitalin e Kumanovës do të punësohen 15 shqiptarë që mund t’i plotësojnë kushtet në këtë fazë dhe të ruhet përfaqësimi adekuat”, deklaroi Kasami.
Në fund, ai theksoi se nëse merret parasysh struktura e përgjithshme e të punësuarve në sektorin e shëndetësisë në Kumanovë, sipas të dhënave që prezantoi, raporti është 80 me 55.



