Sveçla: Sulmet në veri shkaktuan pasiguri te qytetarët

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë të premten, 29 prill, se autoritetet po punojnë intensivisht në hetimin e sulmeve të fundit ndaj Policisë së Kosovës në komunat veriore.

Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.

Gjatë një raportimi për punën e tij para deputetëve të Kosovës, Sveçla ka thënë se gjashtë sulmet ndaj Policisë në javët e fundit “kanë sjellë një ndjenjë të pasigurisë te qytetarët atje”.

“Këto sulme mbi të gjitha kanë prapavijë tjetër, me synimin për të shkaktuar panik dhe pasiguri te qytetarët dhe për të destabilizuar situatën në vendin tonë”, ka deklaruar ai.

Në periudhën 13-26 prill, Policia e Kosovës ka regjistruar gjashtë sulme ndaj saj./REL