Sulmi kibernetik i Iranit, Xhaçka: Kemi kërkuar mbështetje nga NATO dhe BE për vendimmarrjen

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha se ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike me Iranin ishte një veprim drastik, por i diktuar nga sulmi i paprecedent dhe i paprovokuar i Republikës Islamike.

“Hetimet e agjencive të specializuara kanë provuar që sulmi ishte realizuar nga Irani. Sigurisht ky përbën një hap drastik, sidomos për ne që besojmë të dialogu dhe bashkëpunimi, si mënyra më e mirë për të ecur përpara”, tha Xhaçka në një konferencë për mediat me ministrin e Jashtëm të Holandës, Wopke Hoekstra.

“Por fakti që ky sulm ishte i paprovokuar, nuk na la hapësirë tjetër. Jemi konsultuar edhe me aleatët në NATO dhe partnerët në BE. U kemi kërkuar atyre mbështetje për vendimmarrjen e Shqipërisë, pa dyshim edhe për të ardhmen, për të adresuar këto probleme sa më mirë”./A2Cnn