Sulm përsëri në Moskë, i dyti prej kur Zelensky tha se “lufta po shkon gradualisht në territorin e Rusisë”

Një rrokaqiell në Moskë të Rusisë është goditur nga një dron për herë të dytë brenda dy ditësh, deklaroi kryebashkiaku Sergei Sobyanin.

Disa dronë u rrëzuan gjatë natës, tha ai, por një “përfundoi në të njëjtën kullë në kompleksin e ‘Moskva City’” që kishte qenë në cak të dielën.

Nuk u raportua për të lënduar nga sulmi i fundit, por vetëm se objekti ishte dëmtuar pak.

Ky është edhe sulmi i dytë në kryeqytetin rus pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se lufta po shkon gradualisht në “territorin e Rusisë”, pas sulmeve të dielën.

Ministria ruse e Mbrojtjes fajësoi Ukrainën për sulmin e fundit. Kievi në shumicën e rasteve nuk komenton mbi këto supozime.

Në një deklaratë të shkurtër, Sobyanin tha se “xhami u shkatërrua mbi 150 metra katrorë” dhe se shërbimet e urgjencës po punonin në vendngjarje.

Pamjet e publikuara në X, tregonin dëmet që kishte pasur ky objekt pasi ishte cak i këtij sulmi. Një video tjetër duket se tregon momentin kur droni fluturon mbi qytet.

Dy dronë të tjerë u rrëzuan nga sistemet kundërajrore diku tjetër në rajonin e Moskës, sipas ministrisë ruse.

Aeroporti Vnukovo i Moskës u mbyll përsëri për pak kohë.

Ndryshe, të dielën Moska u sulmua tri herë me dronë, në njërin rast u pa një shpërthim i madh në një objekt në zemër të Moskës.