Një aferë e përgjimeve të dyshuara ka shkaktuar tronditje brenda Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), shërbimit sekret të Serbisë, pas publikimit të dokumenteve që pretendohet se dëshmojnë përgjimin e redaksisë së revistës javore „Radar“.
Sipas raportimeve të mediumit „Radar“, drejtori i BIA-s, Vladimir Orliç, ka urdhëruar marrjen në pyetje të disa drejtuesve dhe punonjësve të agjencisë. Pas kësaj kanë pasuar shkarkime dhe ndryshime në strukturën drejtuese.
Edhe pse BIA i ka mohuar akuzat, në fillim të nëntorit kanë nisur marrjet në pyetje dhe testimet me poligraf të punonjësve të Drejtorisë së Pestë, e cila është përgjegjëse për mbrojtjen e brendshme kundërzbulimore.
Mes të shkarkuarve është edhe shefja e kabinetit të Orliçit, Olivera Munjiq, në vend të së cilës, sipas „Radarit“, është emëruar Ivan Ribaç, ish-deputet i Partisë Përparimtare Serbe.
Është shkarkuar edhe Millosh Simiq, shef i Drejtorisë së Parë të BIA-s, i cili, sipas informacioneve jozyrtare, kishte refuzuar të paraqitej në marrje në pyetje.
Ndryshime janë bërë edhe në sektorë të tjerë të agjencisë, përfshirë strukturat e sigurisë dhe logjistikës.
Sipas burimeve të „Radarit“, marrjet në pyetje kanë nisur më 5 nëntor. Ndërkohë, punonjësit që merreshin me përgjimin e bisedave telefonike dhe përgatitjen e transkripteve ishin dërguar në shtëpi, në mënyrë që të mos ishin të pranishëm gjatë ndalimit të kolegëve të tyre.
Mediumi ka publikuar edhe dokumente, për të cilat pretendon se tregojnë se përgjimi i gazetarëve ishte kryer në bazë të Ligjit për BIA-n dhe jo të Ligjit për Procedurë Penale.
Rasti ka hapur debat më të gjerë për ligjshmërinë e përgjimeve, kontrollin institucional mbi shërbimin sekret dhe mbikëqyrjen e punës së tij.



