Stoltenberg: Tërheqja e forcave të NATO-s nga Afganistani zhvillohet me sukses

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se tërheqja e forcave të NATO-s nga Afganistani po zhvillohet me sukses.

Pas prezantimit të takimeve virtuale të ministrave të punëve të jashtme dhe të mbrojtjes të NATO-s, Stoltenberg në Bruksel tha se “tërheqja e forcave po përparon në një mënyrë të rregullt dhe të koordinuar”.

“Siguria e personelit tonë është më I rëndësishëm në çdo hap të procesit”, tha Stoltenberg.

Ai shtoi se NATO “do ta vazhdojë praninë e saj diplomatike civile në Kabul për ta këshilluar dhe mbështetur trajnimin e shërbimeve të sigurisë afgane”.

Diplomatët e NATO-s këtë javë thane se ishte e paqartë se kush do t’i mbronte ata civilë të huaj ose se si do të sigurohej Aeroporti Ndërkombëtar i Kabulit, i cili ka qenë shënjestër e sulmeve të shpeshta të talibanëve.

Stoltenberg tha se NATO po studion gjithashtu mënyra për të edukuar trupat afgane dhe për të trajnuar forcat speciale diku jashtë vendit.

Ai shtoi se ministrat ranë dakord se “mbështetja e vazhdueshme është mënyra më e mirë për të gjithë ne për të kontribuar në përpjekjen për paqe në Afganistan”.

Largimi nga Afganistani do të jetë në axhendën e samitit të NATO-s në Bruksel në 14 qershor, kryesuar nga presidenti amerikan Xho Bajden. Asnjë udhëheqës afgan nuk do të marrë pjesë në takim.

NATO ndihmon në sigurimin e Afganistanit për gati dy dekada, por tani beson se qeveria dhe forcat e armatosura që ajo ka trajnuar janë mjaft të forta për të vepruar në mënyrë të pavarur, pa ndihmën e trupave ndërkombëtare, në një vend të mbytur nga konfliktet.

NATO-ja e mori sigurinë në Afganistan në vitin 2002, dy vjet pasi koalicioni I kryesuar nga SHBA-ja I rrëzoi talebanët sepse kanë dhënë strehim për ish-liderin e Al Kaedës, Osama bin Laden. Mbetën më pak se 9.000 ushtarë të huaj, duke përfshirë edhe 3.500 ushtarë amerikanë të cilët duhet të largohen deri më 11 shtator.