Stojançe Angelov kundër që bullgarët të përfshihen në Kushtetutën e Maqedonisë

Kryetari i partisë “Dinjiteti” dhe drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza në Maqedoninë e Veriut, Stojançe Angelov thotë se është kundër propozimit francez, pasi që sipas tij, ai është poshtërues për maqedonasit.

Sipas tij, edhe me këtë propozim vendi nuk merrë datë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Ai edhe pse është pjesë e koalicionit qeverisës ka dal edhe kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, përcjell INA.

“Unë jam kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, sepse numri i tyre është minor. Nesër, 2000-3000 ukrainas mund të qëndrojnë këtu me ne, ndaj mund të na duhet t’i përfshijmë edhe ata. Siç është, propozimi duhet të rafinohet, por nëse ky është përfundimtar, duhet refuzuar. Mohimi i popullit dhe identitetit maqedonas është i pranishëm edhe te populli bullgar, i cili nën ndikimin e propagandës u kthye kundër vëllezërve maqedonas”, tha Angelov në emisionin “Vetëm e vërteta” në Kanal 5.

Ai thotë se data do të merret vetëm kur do të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe kjo do të jetë e vështirë sepse kërkohet një shumicë prej dy të tretash në Kuvend. (INA)