Stano: Masat ndaj Kosovës s’janë hequr pasi ende s’ka ndodhur deeskalimi kuptimplotë

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë se shtetet anëtare ende nuk kanë parë mjaftueshëm hapa nga Kosova për “një deeskalim kuptimplotë”, dhe kjo është arsyeja pse masat janë ende në fuqi.

Në një konferencë për media, Stano tha se sa i përket sulmit terrorist në Banjskë më 24 shtator, BE-ja pret një hetim të plotë dhe përfundimtar të ngjarjeve e po ashtu i ka bërë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë pa kushte.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka folur lidhur me masat e mundshme ndaj Serbisë pas agresionit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Kur bëhet fjalë për hetimet; duhet ta rikthesoj atë që e kemi thënë shumë herë deri tani: presim rezultatet e plota të hetimeve. Kur të jenë përfunduar hetimet dhe të kemi rezultatet që do t’i shoh BE-ja ne do ta kemi pamjen e qartë se çfarë ndodhi, kush qëndron prapa dhe atëherë BE-ja do të vendos për hapat e mëtejmë.
BE-ja ishte e qartë deri sa ka përshkallëzim ose deri sa të ketë më shumë eskalim ne jemi të gatshëm që të vendosim masa të caktuara si përgjigje ndaj kësaj. Disa nga masat janë vendosur tashmë. Ne jemi gjithashtu të gatshëm kur vendet anëtare të pajtohen që t’i konsiderojmë masat jo vetëm ndaj Kosovës por gjithashtu edhe ndaj Serbisë. Këto masa janë flekisibël ato mund të hiqen, mund të reduktohen në të njëjtën mënyrë siç mund të vendosen kur vendet anëtare të shohin se ka nevojë për to. Në këtë fazë ne kemi nevojë të shohim; e para, hapa drejt shtendosjes kuptimplote, kthim në dialog dhe kur bëhet fjalë për ngjarjet e 24 shtatorit hetime të plota dhe përfundimtare”, tha ai.