Sfida për “jetë a vdekje” me Çekinë, Sylvinho: Fitorja hap i madh drejt Evropianit, entuziazmi te tifozët është i madh

Përzgjedhësi i Kombëtares shqiptare të futbollit, braziliani Sylvinho është deklaruar sërish para ndeshjes vendimtare të Shqipërisë kundër Çekisë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Shqipëria dhe Çekia do të përballen të enjten nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, në ndeshjen ku kërkohet vetëm fitorja për t’iu afruar jashtëzakonisht shumë biletës që dërgon në Gjermani vitin e ardhshëm, shkruan lajmi.net.

Sylvinho në një intervistë për Reuters ka thënë se para Shqipërisë janë edhe tre “finale”.

“Ne kemi tre finale përpara nesh dhe duhet të përballemi me secilën me të njëjtin qëndrim që kishim deri më tani. Gjithçka fillon të enjten,” tha Sylvinho për Reuters, përcjell lajmi.net.

“Ne jemi të vetëdijshëm për entuziazmin e tifozëve tanë, por lojtarët e dinë se ky është skenari i jashtëm, diçka që ne nuk mund ta kontrollojmë. Ata janë absolutisht të qetë dhe të ndërgjegjshëm,” shtoi ai.

“Një fitore të enjten do të ishte një hap i madh drejt kualifikimit tonë të shumëpritur. Është jashtëzakonisht e rëndësishme, por ende nuk është përcaktuese.”

“Janë miliona shqiptarë … që jetojnë në mbarë botën. Ne po kërkonim një krahun e djathtë me këmbë të majtë dhe gjetëm Asanin. Na pëlqeu ajo që pamë menjëherë dhe ai ka qenë i mrekullueshëm për ne,” tha Sylvinho.

“Filozofia jonë është të tërheqim lojtarët me punën tonë. Lërini rezultatet, projektin dhe strukturën që po ndërtojmë të flasin për ne dhe të prekin zemrën dhe shpirtin e lojtarëve shqiptarë jashtë vendit, në mënyrë që ata të ndjejnë thirrjen për t’u kthyer në shtëpi”, u deklarua Sylvinho.