Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, përsëriti edhe një herë se do të dënohen pjesëmarrësit e protestës kundër rastit “Monstra”, të cilët siç tha, kanë ushtruar dhunë dhe kanë shkelur rregullat për mbrojtje nga pandemia, raporton gazeta LAJM.
“Janë identifikuar 14 persona dhe ata janë thirrë në stacionet policore. Të gjithë janë të moshës madhore, vetëm një është i moshës së mitur dhe ai është ftuar në polici me shoqërim të prindit”, tha Spasovski, duke shtuar se ata do të sanksionohen dhe do të përballen me padi penale, raporton gazeta Lajm.
Spasovski theksoi se e drejta e protestës është e pamohueshme, por se ata që kanë shkelur rregullat do të përballen me padi adekuate.
“Organizatori do të mbajë përgjegjësi për mosrespektim të Ligjit për protesta dhe Ligjit për mbrojtje të shëndetit të qytetarëve, kurse ata që tentuan të dëmtojnë pronën shtetërore ose private, do të mbajnë përgjegjësi”, shtoi Spasovski.