Spasovski është i gatshëm ta marrë funksionin e kryeministrit të qeverisë teknike

Ministri Oliver Spasovski i cili mbrëmë nga trupat partiak të LSDM-së u zgjodh kryeministër teknik të qeverisë kalimtare, deklaroi se edhe ai edhe partia e tij kanë koncept pas 3 janarit kur do ta marrë këtë funksion.

“Kjo është qeveri kalimtare që duhet të sigurojë, para së gjithash, periudhë për organizim të zgjedhjeve, mundësi të drejta demokratike për të gjitha subjektet politike, të mundësojmë që qytetarët të pavarur t’i sjellin vendimet. Megjithatë, njëherit të vazhdojmë edhe fuqishëm në punë dhe realizim të projekteve, të mos ketë stagnim në reformat në shtet, t’i realizojmë interesat nacionale”, tha Spasovski pas hapjes së kopshtit të ri në lagjen e Shtipit Senjak.

Theksoi se të gjitha prioritetet të cilat qëndrojnë para qeverisë teknike, ai do t’i prezantojë në ekspozenë kur do të formohet qeveria.

I pyetur nëse e ka parasysh fotografinë për funksionin e kryeministrit teknik dhe nëse është i aftë për të, Spasovski është decid se është i aftë ta kryejë këtë funksion me përgjegjësi, njejtë siç e ka kryer deri më tani funksionin e ministrit të Punëve të Brendshme.

“Me dinamikë të njejtë, me përkushtim të njejtë të punoj për interesat e qytetarëve, siç punova gjatë viteve të shkuara në resorin e Ministrisë së Punëve të brendshme. Me të vërtetë nuk ka punë më të mirë nga ajo kur shihni se keni përparim, se ndërtoni strategji të reja, zhvilloni politika të reja. Tërë atë që do ta bëni gjatë një mandati, ajo mbetet si shenjë edhe në qytet, edhe në shtet”, tha Spasovski, duke shtuar se me tempo të njejtë do të realizohen të gjitha projektet.