Sopoti, ish të dënuarit në arrati kërkojnë marrëveshje dëmshpërblimi me ministrin e Drejtësisë

Ish të dënuarit në arrati për rastin Sopoti këmbëngulin për dëmshpërblimin që sipas tyre u takon mbi bazën e njollosjes së integritetit personal dhe familjar. Pas qëndrimit të Qeverisë se nuk pranon marrëveshje me ndërmjetësimin e Avokatit të Shtetit, mbrojtja e ish të dënuarve e përfaqësuar nga avokati Vullnet Paçuku ka shfrytëzuar mekanizimin e fundit juridik për të kërkuar marrëveshje të drejtpërdrejtë mes palëve dhe ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq, transmeton Alsat.
Kërkesa e tyre është adresuar në ministri që ditën e premte. Katër ish të dënuarit: Selman Jahiji, Bashkim Ukshini, Afrim Ukshini dhe Musa Klaiqi kërkojnë dëmshpërblim prej 8 milion denarëve (nga 2 milion për person) në afat prej 15 ditëve pas marrëveshjes. Nga Ministria e Drejtësisë thonë shkurt se gjatë ditës do të prononcohen për kërkesën e Sopotasve.
Në rast se arrihet marrëveshje mes ish të dënuarve dhe ministrit Mariçiq, e njëjta duhet të kalon në Qeveri për t’u hapur më pas rruga e zbatimit të saj deri në shpagimin e dëmit.