Skender Hasani: Është i dënueshëm terrori që imponohet nga HAMAS

Në një takim të ngrohtë dhe miqësor me mikun tim, Pepo Levi, kryetar i Komunitetit Hebraik në
Maqedoninë e Veriut, ndamë shqetësimet e përbashkëta mbi zhvillimet dramatike që po
ndodhin në disa zona të Izraelit dhe rripit të Gazës, si rezultat i sulmeve terroriste të HAMAS-it.

Me këtë rast z. Levi i shpreha keqardhjen për viktimat civile, të shkaktuara nga
çmenduria e një grupi militantësh të HAMAS-it që kanë zënë peng perspektivën e
popullit palestinez, me çka po i bëjnë dëm të pariparueshëm marrëdhënieve në mes dy
popujve, por edhe stabilitetit rajonal.

“Miku i mirë njihet në ditë të vështira”, është kjo maksima e vjetër e popullit shqiptar, e
cila i ka shërbyer si busull orientuese në mjegullat e dendura të histories, ku dora e
zgjatur e fqiut ka qenë vendimtare për të shpëtuar fqiun e rrezikuar. Kështu ndodhi
edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kur shqiptarët shpëtuan fqinjët e tyre hebrenj, sepse
ky ishte kodi civilizues i tyre, që ndërlidhej me Kanunin, besën dhe mikëpritjen.
Edhe në këto momente dramatike ne jemi me popullin izraelit, i cili pa të drejtë po
paguan koston e një sulmi brutal që po e bëjnë militantët e HAMAS-it, një organizatë
kjo e cila para disa vitesh me shumë të drejtë u fut në listën e organizatave terroriste nga
ana e qeverive në Shkup, Prishtinë e Tiranë.

Vetëm duke dënuar terrorin që imponohet si mjet për synime të caktuara politike e
ideologjike, ne mund të jemi të qetë , sepse të luftosh të keqen në oborr të huaj do të
thotë të refuzosh që e keqja të të ndodhë edhe në oborrin tënd.

Populli izraelit dhe populli palestinez i kanë udhëheqësitë e tyre legale politike e
institucionale, dhe çdo kontest mund ta zgjidhin përmes dialogut dhe mirëkuptimit,
por jo duke importuar falangistë të HAMAS-it të cilët po e zëvendësojnë diplomacinë me
ligjet absurde të vdekjes, ndërsa popullit palestinez po ia bëjnë edhe më të
errët mirëqenien dhe perspektivën.