Skandali me këngën nacionaliste serbe në Bruksel, deputeti belg kërkon llogari nga Marta Kos: Kosovarëve t’u kërkohet falje

Një incident i ndodhur gjatë koncertit zyrtar të hapjes së Forumit për Zgjerim të Bashkimit Evropian në Bruksel nxiti reagimin e deputetit belg, Michel De Maegd, i cili ka kërkuar shpjegime nga komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, transmeton Gazeta Metro.

Bëhet fjalë për interpretimin e një kënge nacionaliste serbe, me përmbajtje që lidhet me pretendimet territoriale ndaj Kosovës. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim, veçanërisht për shkak të mesazhit që përcjell një përzgjedhje e tillë muzikore në një organizim zyrtar të institucioneve evropiane.

De Maegd e ngriti këtë çështje në komunikimin me komisioneren, duke rikujtuar edhe përvojën e tij personale gjatë luftës në Kosovë, ku kishte qëndruar për tre muaj në vitin 1999 në cilësinë e reporterit të luftës.

Ai theksoi se kishte qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i dhunës së ushtruar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit ndaj popullsisë civile, si dhe i pasojave të bombardimeve, spastrimit etnik dhe krizës së refugjatëve.

“Të dielën në mbrëmje, gjatë Forumit Europian për Zgjerimin në Bruksel, u luajt një him nacionalist serb, i lidhur me pretendimet territoriale ndaj Kosovës, para përfaqësuesve europianë. Një gafë thellësisht e keqardhshme, e cila rihap plagët e një populli Në vitin 1999, kalova tre muaj në Kosovë si reporter lufte. Përjetova krah popullsisë së saj represionin e regjimit të Millosheviqit, bombardimet, spastrimin etnik, mijëra të vrarët dhe qindra mijëra refugjatët. Këto pamje dhe këto vuajtje nuk do t’i harroj kurrë”, deklaroi deputeti belg.

Duke iu referuar këtij incidenti, deputeti belg kërkoi të dinte se si ishte e mundur që një përmbajtje e tillë të përfshihej në programin muzikor pa u vërejtur paraprakisht nga organizatorët. Ai ngriti gjithashtu çështjen e një kërkimfaljeje zyrtare ndaj qytetarëve të Kosovës.

“Si ka mundur që një përzgjedhje e tillë muzikore t’i ketë shpëtuar vëmendjes së organizatorëve? Dhe, mbi të gjitha, a nuk do të ishte e drejtë që t’i kërkohej falje zyrtare popullit kosovar?”, pyeti ai.

Nga ana tjetër, komisionerja Marta Kos, sipas rrëfimit të De Maegd, ka shprehur keqardhje për atë që ndodhi dhe ka sqaruar se pjesët muzikore nuk ishin miratuar nga shërbimet e saj. Ajo gjithashtu kishte bërë të ditur se për këtë çështje kishte komunikuar drejtpërdrejt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

 

Në deklarimin e tij publik, deputeti belg bëri të ditur edhe qëndrimin e komisioneres për perspektivën evropiane të Kosovës. Sipas tij, Kos ka rikonfirmuar përkushtimin e BE-së për mbështetjen politike dhe financiare ndaj vendit.

Ndër të tjera, ajo kishte deklaruar: “A mund ta imagjinoni që do t’i integrojmë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por jo Kosovën? Kjo nuk është e mundur”.

 

De Maegd tha se i vlerëson këto zotime, por nënvizoi se ndërtimi i paqes në rajon kërkon përballje të sinqertë me të kaluarën dhe respektim të vuajtjeve të popujve që kanë përjetuar luftëra.

Reagimin e tij deputeti belg e publikoi edhe në Facebook, duke rikthyer në vëmendje rëndësinë e përgjegjësisë institucionale përballë një incidenti që prek kujtesën historike dhe ndjeshmërinë e qytetarëve të Kosovës./gazetametro.net