Shkruan: Rexhail RAMADANI
Çdo qytet dhe çdo krahinë ka shpirtin e vet, i cili nuk ndërtohet vetëm me tulla e beton, por me energjinë e njerëzve, kulturën dhe marrëdhëniet e atyre që jetojnë aty. Rajoni i Kumanovës dhe Likovës, një trevë me histori të pasur, traditë të fortë dhe potencial të jashtëzakonshëm njerëzor e natyror, sot ndodhet në një udhëkryq të vështirë. Përballë pasojave të një tranzicioni të gjatë, kjo zonë po përjeton një zbrazje të heshtur, jo vetëm demografike, por edhe shpirtërore, kulturore e urbanistike.
Kujtesa e një qyteti të gjallë dhe kodit etik të dikurshëm
Dikur, Kumanova ishte përplot me të rinj dhe lokalet gumëzhinin nga një gjallëri e jashtëzakonshme që i jepte qytetit jetë e ritëm. Ky qytet krijoi një kulturë të mirëfilltë urbane, kultivoi këngën argëtuese, zhvilloi shoqëri kulturo-artistike me renome, dha kampionë të Jugosllavisë në atletikë dhe zhvilloi të gjitha lëmitë e sportit për të rinjtë. Garnizoni ishte vatra ku pulsonte kjo frymë urbane, me mbrëmje gazmore ku një kafe e ngrohtë me miq të mirë kishte peshën e një rituali shoqëror. Pazari i vjetër, ku dikur tregtoheshin rroba dhe mallra të ndryshme, ishte një ambient plot ngjyra, mikpritje dhe jetë, ku tregtia kishte fytyrë njerëzore. Edhe Parku i Qytetit dhe stadiumi i “Mërgimit” ishin simbole të jetës së shëndetshme rinore, sportit dhe takimeve që bashkonin brezat.
Në themel të kësaj jete qëndronte familja tradicionale, e ngrohtë dhe e bashkuar.
Ajo përbëhej nga babai, një njeri punëtor e fisnik që mundohej me djersë për ta mbajtur shtëpinë, dhe nëna që kujdesej me përkushtim për punët e shtëpisë dhe fëmijët. Edhe pse mes tyre shpesh kishte mosmarrëveshje të përditshme, mbi ta qëndronte gjyshja me përvojën e saj të madhe jetësore dhe urtësinë që e mbante ekuilibrin. Nektarin e këtij ambienti e gëzonin fëmijët, të cilët rriteshin me një fëmijëri të lumtur në atë vatër të ngrohtë, pranë oxhakut dhe një gote çaj të ngrohtë në mbrëmje, ku mblidheshin edhe mysafirët për biseda të zjarrta e plot kuptim.
Kodi i respektit dhe mikpritjes, të cilin e kultivonin me fanatizëm burrat fisnikë të kësaj zone, ishte i shenjtë. Edhe vetë besimi fetar nuk kishte teori të ngurta e dukje formale si sot.
Njerëzit e kuptonin fenë dhe besimin në Zot si një udhërrëfyes etik për të mos bërë keq, për të bërë vepra të mira dhe për të ndarë qartë hallallin nga harami. Vlerësohej lart djali punëtor, familja e ndershme dhe respekti i pakushtëzuar për të vjetrin, ndërsa çdo shthurje morale shihej me përbuzje. Madje, pyetja më kryesore që prindërit ia bënin një msyti që kërkonte dorën e vajzës së tyre ishte: “A është djali haram?”. Ata ishin tejet të ndjeshëm në këtë pikë, sepse “harami” në kuptimin e tyre etik ishte njeriu që përdorte dhunën, që nuk punonte dhe që sillej si aventurier. Me kalimin e kohës, për fat të keq, ky kod i lartë i etikës familjare u përmbys.
Paralelisht me këtë kod moral, ky rajon kishte një kulturë të spikatur arsimore. Shkollat e dikurshme nuk ishin thjesht ndërtesa, por tempuj ku kultivohej një zell i madh për Rilindasit dhe vlerat e tyre. Aty punonte një brez i artë arsimtarësh që e çmonin arsimin lart, një gjeneratë idealiste që rezistencën kombëtare dhe dinjitetin e popullit i shihte pikërisht te ngritja arsimore, kulturore dhe intelektuale e tij.
Klientelizmi politik dhe harresa institucionale
Kjo rënie e përgjithshme nisi kur harmonizimi shoqëror dhe idealizmi u zëvendësuan gradualisht nga një kulturë e deformuar politike, e cila e helmoi jetën komunitare në themel. Në analizat e opinionit publik dhe të kritikëve lokalë vërehet se tranzicioni nuk solli çlirimin e qytetarit, por vetëm ndërrimin e formës së kontrollit. Në vitet e para, stili i pushtetit i përfaqësuar nga figura të tilla si Menduh Thaçi, i mbështetur nga diskursi intelektual i Arbën Xhaferit, shpesh u perceptua në terren si një vazhdimësi e mentalitetit të vjetër autoritar, ku aureola e pushtetit dhe “kapadahizmi” lokal vendoseshin mbi institucionet.
Më pas, gjatë epokës së gjatë të udhëhequr nga BDI-ja dhe Ali Ahmeti, ky model mori një formë edhe më të rëndë e përjashtuese: çdo pore e jetës kaloi nën kontrollin e partisë. Nën petkun e propagandës folklorike dhe retorikës së kauzave të mëdha, u instalua një logjikë e ngurtë partiake, e ngjashme me strukturat e centralizuara të së kaluarës, ku kushdo që nuk ishte pjesë e partisë mbetej i përjashtuar. Për më tepër, kritikët dhe banorët e kësaj treve vënë në dukje se pikërisht gjatë kësaj periudhe qytetit iu shtuan fenomene të panjohura më parë për traditën e qetë të Kumanovës, si rritja e kriminalitetit lokal, pasiguria dhe atentatet me prapavijë politike që tronditën rëndë gjithë zonën.
Për më tepër, politikat e viteve të fundit arritën madje t’i ndajnë dhe t’i izolojnë Kumanovën dhe Likovën nga njëra-tjetra, duke e lënë këtë të fundit në një gjendje të rëndë moszhvillimi. Komunës së Likovës i mungojnë ende kushtet më elementare të jetesës, si uji i pijshëm, kanalizimi i rregullt dhe shkollat moderne, duke mbetur me objekte arsimore të amortizuara që nga koha e komunizmit. Edhe në infrastrukturën rrugore, për dekada me radhë janë bërë vetëm arnime të përkohshme dhe shtrime sipërfaqësore asfalti, pa asnjë projekt të mirëfilltë të ndërtimit të rrugëve me standarde bashkëkohore.
Megjithatë, sa herë që afrojnë zgjedhjet dhe duhen vota, politikanët që nuk kanë bërë asnjë investim të qenësishëm në këto fshatra rikthehen për të defiluar para varrezave të dëshmorëve, duke e shfrytëzuar sakrificën historike si dekor elektoral.
Në të njëjtën kohë, në Kumanovë dhe në gjithë rajonin mbizotëron kaosi urban dhe një zbrazëti totale sa i përket vizionit ekonomik. Çdo parti në pushtet solli atje nga një “sherif lokal”, të cilit iu la në dorë fati i punësimeve dhe i resurseve publike.
Për dekada me radhë, autoritetet nuk arritën të ndërtojnë asnjë shesh dinjitoz dhe nuk hartuan asnjë plan për zhvillimin e afarizmit, ndonëse kjo zonë zotëron resurse të jashtëzakonshme natyrore, bujqësore e turistike që mbeten krejtësisht të pashfrytëzuara. Në vend të prodhimit dhe punësimit, interesat e ngushta mbizotëruan mbi të mirën e përbashkët: mu në mes të zonës së banuar dhe hapësirës së dikurshme të pazarit u fut një pompë benzine pa asnjë reagim qytetar, ndërsa i vetmi “investim” mbeti ndërtimi i banesave të orientuara drejt xhepit të mërgimtarëve.
Ftohja e marrëdhënieve njerëzore dhe zbrazja nga gurbeti
“Caji i ngrohte i mbremjes dikur ua ngrohte zemrat ketij populli“
Kjo rënie institucionale, ekonomike dhe e sigurisë u shoqërua me një tjetërsim të thellë të marrëdhënieve ndërnjerëzore e ndërfamiljare, si dhe të prioriteteve tona si shoqëri. Sot, marrëdhëniet e ngrohta dhe solidariteti i dikurshëm janë zbehur pothuajse plotësisht. Përshëndetja dhe mikpritja janë prekur nga sëmundja e egos, ku secili matet me tjetrin me mendësinë ftohëse “kush është ai që unë t’i flas apo t’i shkoj”. Këtë ftohje dhe zbehje të lidhjeve mes njerëzve e familjeve e kanë thelluar edhe fryma transaksionale e kapitalizmit të egër dhe izolimi i pas-pandemisë, por as rrymat dhe predikimet e reja fetare nuk sollën ndonjë ngrohtësi më të madhe.
Përkundrazi, duke vënë theksin te mbulesa totale dhe ndalimi i përshëndetjes me dorë, këto praktika veçse e shtuan distancën mes njerëzve, në kundërshtim me kodin etik dhe traditat e ngrohta të kësaj treve. Edhe më paradoksal është fakti se aty ku njerëzve u mungon uji i pijshëm në shtëpitë e tyre, bisedat shpesh zhyten në kauza të largëta globale dhe në çështjet e “umetit”, duke harruar parimin themelor të mençurisë: së pari ndërtohet dhe pastrohet oborri yt, sepse kur nuk je në gjendje të rregullosh shtëpinë dhe oborrin tënd, nuk mund të zgjidhësh asnjë kauzë të madhe të botës.
Si pasojë e mungesës së perspektivës, e kulturës dhe e sigurisë, gurbeti po e zbraz këtë trevë gjithnjë e më shumë. Rrugët dhe lokalet që dikur gumëzhinin nga rinia janë dukshëm më të zbrazëta, fshatrat e Likovës dhe lagjet e Kumanovës po mbesin pa njerëz dhe shtëpitë po mbyllen ose po lihen vetëm me një apo dy prindër të moshuar që presin me mall. Jeta sikur kufizohet vetëm në disa javë të verës, të mbushura me dasma luksoze, por shpesh të shoqëruara me një hendek të heshtur dhe keqkuptime mes banorëve vendas dhe mërgimtarëve që mbajnë gjallë ekonominë e vendit.
Koha për patriotizëm lokal
Pikërisht këtu qëndron domosdoshmëria e kthesës sonë të madhe: kalimi nga folklorizmi i kauzave të mëdha tek patriotizmi lokal. Folklorizmi i kauzave të mëdha ka shërbyer shpesh si mjegull për të fshehur dështimet e përditshme, mungesën e ujit, të shkollave, të sportit, të sigurisë dhe të perspektivës.
Patriotizmi lokal, përkundrazi, është dashuria praktike, e prekshme dhe e ndershme për qytetin dhe fshatin tënd. Është të sigurosh ujë të pijshëm, kanalizim dhe rrugë me standarde në Likovë; është të kërkosh një shesh të vërtetë, rend e qetësi publike dhe planifikim urban në Kumanovë; është të ringjallësh sportin, artin dhe shoqëritë kulturore që dikur nxirrnin kampionë; është të hapësh debatin për shfrytëzimin e resurseve të pashfrytëzuara ekonomike dhe të reagosh kur cenohet hapësira e përbashkët.
Ringritja e kësaj fryme kalon domosdoshmërisht përmes rikthimit të asaj kulture të lartë arsimore dhe fryme rilindase që dikur e mbante gjallë këtë trevë. Shkollat me traditë, si shkollat fillore “Naim Frashëri” dhe “Bajram Shabani”, apo gjimnazi “Goce Dellçev”, së bashku me shkollat e Likovës, duhet të ringjallin idealizmin e brezit të arsimtarëve të dikurshëm, autoritetin e mësuesit dhe edukimin e rinisë me dije, kulturë dhe vetëdije qytetare.
Në fund të fundit, një vend nuk humbet vetëm kur i pakësohet popullsia, por kur i shuhet shpirti, ngrohtësia e oxhakut familjar, kodi etik, idealizmi arsimor dhe shpresa. Kumanova dhe Likova janë një trup i pandashëm, trashëgimi e brezave dhe amanet për ata që vijnë. Duke lënë pas folklorizmin shterp të kauzave të mëdha, duke mposhtur egon dhe ftohtësinë që na ka larguar nga njëri-tjetri, duke rregulluar së pari oborrin tonë dhe duke ndërtuar një vizion të ri ekonomik, kulturor e urban, ne mund ta ndalojmë zbrazjen e këtij rajoni dhe t’ia rikthejmë Kumanovës dhe Likovës gjallërinë rinore e dinjitetin e dikurshëm.
Ne foto : Caji qe dikur i ngrohte zemrat e njerezve



