LSDM-ja opozitare akuzon Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se po ushtron presion për shitjen e Alta Bankës, me qëllim fshehjen e veprimtarive të dyshuara kriminale. Partia kërkon hetim ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski, guvernatorit Trajko Sllaveski dhe ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçovska.
Në një konferencë për media, zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, deklaroi se partia kishte paralajmëruar prej kohësh për origjinën e dyshimtë të kapitalit të bankës dhe lidhjet e pretenduara me struktura kriminale në Serbi.
“Pikërisht këtu, në Qeveri, ndodhen fajtorët kryesorë që lejuan hyrjen e Alta Bankës në Maqedoni me kapital të dyshimtë. Tani pushtetarët përpiqen ta mbulojnë skandalin”, deklaroi Kuzeska.
Ajo iu referua dokumenteve qeveritare të 23 shtatorit 2025, duke pretenduar se Qeveria kishte miratuar konkluzione për marrjen e aksioneve të 16 institucioneve publike nga Alta Banka e Beogradit, në interes të pronarit të saj, Davor Macura.
“Ata që mundësuan hyrjen e Alta Bankës tani paralajmërojnë shitjen e saj te një pronar i ri. Qëllimi është të mbulohet skandali dhe të mos zbulohet krimi”, akuzoi Kuzeska.
Sipas saj, pushteti po ushtron presion ndaj blerësve potencialë, përfshirë një bankë të huaj dhe një bankë vendore.
LSDM kërkon që Prokuroria Publike dhe Prokuroria Evropiane të hetojnë qarkullimin e parave dhe përgjegjësinë e zyrtarëve të përmendur.
“Duhet të hetohen Mickoski, Sllaveski dhe Koçovska. Të gjithë të përfshirët në skandalin me Alta Bankën duhet të mbajnë përgjegjësi”, përfundoi Kuzeska./Press24.mk





