Skandal në Serbi: Para selisë së SNS-së të Vuçiqit, gjenden shkopinj bejsbolli, persona sulmojnë qytetarët!

Një incident ka ndodhur para selisë së Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Lazarevac të Serbisë, pasi qytetarët kanë vërejtur një automjet fuoristradë të mbushur me shkopinj bejsbolli. Sipas raportimeve, më pas një grup burrash ka sulmuar qytetarët e mbledhur, duke shkaktuar përleshje fizike.
Qytetarët kishin vërejtur një fuoristradë të bardhë me bagazhin e hapur, ku ndodheshin një numër i madh shkopinjsh, dhe menjëherë kishin njoftuar policinë. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe ekipet mobile të listës studentore.
Me të mbërritur policia, personat nga fuoristrada janë përpjekur të largohen, por qytetarët ua kanë bllokuar rrugën. Pak më vonë, ka mbërritur edhe një veturë “Golf” me targa të Novi Sadit, nga e cila kanë dalë persona që kanë sulmuar të pranishmit.
Pasi policia nuk ka kryer menjëherë këqyrjen e vendit të ngjarjes, qytetarët kanë thyer xhamat e fuoristradës dhe kanë nxjerrë shkopinjtë.
Situata më pas është qetësuar, por shumë qytetarë kanë mbetur para selisë së partisë, duke kërkuar që të përcaktohet përgjegjësia për incidentin.